Avokati Asmir Alispahiq deklaroi për gazetën Lajm se sot e kanë nisur për në Strasbur ankesën për rastin “Almir Aliu”.
Mbrojtja është e pakënaqur nga dënimi i ulët që i është shqiptuar të akuzuarit për këtë vrasje, Boban Iliq, por Edhe për dënimet që u janë shqiptuar familjarëve të Almirit të Vogël.
“Sot sapo e nisëm ankesën për në Strasbur. Kemi përfshi të gjitha shkeljet që janë bë në këtë proces, kurse theksin e kemi vendosur te pabarazia e palëve para gjykatës”, deklaroi Alispahiq për gazetën Lajm.
“Tani mbetet vendimi te Gjykata e Strasburit. Nuk ka afate të sakta se kur do të vendosin, mirëpo presim vendim të drejtë dhe meritor duke pasur parasysh se argumentet janë në anën tonë dhe presim të përsëritet e gjithë procedura penale”, shton avokati tjetër, Ibraim Bajrami.
Boban Iliq Fillimisht u akuzua për vrasje, pastaj Prokuroria e ndërroi akuzën nga vrasje në aksident komunikacioni me pasojë rrezikimin e jetës së njerëzve, duke shkurtuar dënimin e tij.
Aksidenti ndodhi më 25 qershor të vitit 2016, ndërsa Almiri i cili kaloi rreth një javë në kujdes intensiv, ndërroi jetë më 2 korrik në Klinikën e Shkupit.
Gjykata për fajtor ka shpallur edhe të akuzuarin e dytë Sedat Aliun, babain e Almirit, duke i shqiptuar dënim prej gjashtë muajve, si dhe të akuzuarit e tretë dhe të katërt, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu, që u dënuan me nga nëntë muaj burg, të gjithë për veprën e kryer penale “dhunë”.