Në bregdetin e Durrësit mbërrijnë pushuesit e parë nga rajoni. Operatoret turistike thonë se për t’u rimëkëmbur pas një viti pandemie, këtë sezon kanë vendosur çmime më të ulta për të tërhequr turistë të huaj.
Ditët me diell kanë rikthyer pushuesit në Durrës.
Shumica janë vendas por nuk mungojnë as vizitorët nga Serbia e Mali i Zi.
Të huajt kanë shfaqur interes për qytetin bregdetar, por rezervime nuk kanë kryer ende.
“Nuk ka prenotime qysh tani për gushtin, por presim që të jetë një sezon i mbarë me turistë spontanë.”
Operatorët turistike janë shpresëplotë se ky sezon do të jetë i mbarë.”
Për të rimëkëmbur financat e tyre, por edhe për të tërhequr sa më shumë turistë ata kanë vendosur të ulin ndjeshëm çmimet duke konkurruar tregun rajonal.
“Kemi bërë oferta shumë të mira turistike, ku përfshihet akomodimi, ushqimi dhe transporti. Janë rreth 20-30% më të ulta.”
Kreu i Dhomës së Tregtisë në Durrës Alban Isteri, thotë se ofertat turistike kanë qëllim ta kthejnë Durrësin këtë vit në destinacion të pushuesve kryesisht nga rajoni.
“Deri më tani janë më shumë pushues të rajonit, por risia është se ka shumë pushues nga Serbia.”
Sektori i turizmit ishte një ndër me të prekurit nga pandemia e Covid vitin e shkuar.
Si rrjedhojë e kufizimeve, në vend hynë 3.7 milionë shtetas të huaj më pak.