Dhuna në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e gjashtë. Aeroplanët luftarakë të Izraelit sërish kanë sulmuar militantët e Hamasit në Gazë, kurse ata u janë kundërpërgjigjur duke shkrepur raketa në drejtim të Izraelit – derisa bashkësia ndërkombëtare dhe diplomatët po mundohen të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund dhunës.
“Të hënë rreth orës 6:03, Hamasi ka shkrepur raketa mbi civilët izraelitë në Jerusalem. Mbrëmë kemi shkatërruar raketahedhësin me të cilin Hamasi lansonte raketat. Ata po qëllojnë mbi civilë, e ne po i qëllojmë militantët”, ka shkruar ushtria izraelite në Twitter.
Në anën tjetër, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se mbi 30.000 raketa Tamir janë shkrepur nga sistemi mbrojtës i Izraelit – “Kupola e hekurt”.
Madje ushtria izraelite ka publikuar pamje të zjarrit që ka shpërthyer në qytetin Ashdod në jug të Izraelit – pas sulmeve me raketa nga ana e militantëve palestinezë.
“Kjo nuk do të kalojë pa përgjigje të duhur”, ka shkruar sërish ministria izraelite e Mbrojtjes.
E nga qindra raketa që janë shkrepur nga Hamasi në drejtim të qyteteve izraelite, gjysma prej tyre janë shkatërruar në ajër nga sistemi kundërajror i Izraelit.