Në Greqi janë zhvilluar provimet me shkrim për emigrantët që duan nënshtetësinë greke. Në total janë 2 465 të tillë, të regjistruar në provimet e para për të marrë Certifikatën e Përshtatshmërisë së Njohurive për Natyralizimin (PEGP).
Siç raporton “Kathimerini”, shumica e kandidatëve janë me origjinë shqiptare, por ka edhe kandidatë nga Rumania, Rusia, Ukraina, Bullgaria, Pakistani, India, më pak nga SHBA dhe Australia.
Kandidatët testohen për nivelin e njohjes së greqishtes në dy komponentë, të kuptuarit e tekstit dhe shkrimit. Po ashtu, atyre u kërkohet t’u përgjigjen pyetjeve mbi historinë e institucioneve politike, gjeografinë dhe kulturën greke.
Pyetjet variojnë nga emri i detit ku derdhet lumi Aliakmonas, deri te emrat e aktorëve në filmat popullorë grekë nga vitet 1950 dhe 60, klubet e futbollit, grupet muzikore dhe këngëtarët e tyre (disa edhe nga vitet 1960), por ka edhe pyetje të detajuara mbi zakonet fetare ortodokse greke.
Kandidati quhet i kualifikuar kur përgjigjet saktë në 70% të pyetjeve.
Një tjetër kriter për shtetësinë greke janë të ardhurat. Të huajt që kërkojnë shtetësinë greke duhet të kenë të ardhura vjetore prej 7 800 euro (ekuivalente me pagën e një punëtori të pakualifikuar) për minimumi tre vjet përpara paraqitjes së kërkesës.