Një nga vrasësit më të njohur mafiozë të Sicilisë, i cili besohet se ka vrarë më shumë se 100 njerëz, është liruar nga burgu në Itali pas 25 viteve të kaluara prapa grilave.
Giovanni Bruscka, i njohur me nofkën “U scannacristiani” (“Vrasësi i njerëzve”), e kishte aktivizuar materialin shpërthyes që e kishte lënë të vrarë prokurorin e dikurshëm kundër mafias, Giovanni Falcone, më 1992.
Ai gjithashtu kishte dhënë urdhër për mbytjen e një djali 11 vjeç përmes shtrëngimit në fyt. Trupi i fëmijës ishte gjetur i shpërbërë në acid, shkruan The Guardian.
Lajmi për lirimin e një prej vrasësve më të rrezikshëm ka nxitur reagime të shumta në Itali, ndonëse vendimi ishte i pritshëm dhe kërkohej me ligj. Në vitin 2000, Brusca kishte vendosur që të bashkëpunonte me prokurorët, prandaj i ishte dhënë një dënim më i lehtë.
Bruska ishte krah i djathtë i të ashtuquajturit super-bos, Toto Riina, i cili vdiq në burg në vitin 2017. Brusca ishte arrestuar në vitin 1996 dhe fillimisht ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Lirimi i tij u ka shkaktuar shqetësim familjarëve të viktimave të grupit “Cosa Nostra” dhe politikanëve, të cilët pretendojnë se Brusca kurrë nuk ka treguar dëshmi të vërtetë se është penduar për krimet që ka kryer.
Bashkëpunimi i vrasësit me autoritetet kishte çuar në arrestimin e vrasësve dhe disa udhëheqësve të grupit “Cosa Nostra”, por publiku dhe veçanërisht familjarët e viktimave e kanë të vështirë që ta falin për aktet e tij.