Pasi u mbijetoi plagëve nga arma e zjarrit, therjes me thikë dhe rrahjes së rëndë në qytetin ku banon, Nantes të Francës, aktivisti i njohur azer, Mahammad Mirzali, thotë se ka marrë paralajmërime të reja dhe se jeta e tij është në rrezik.
Kërcënimet ndaj tij kanë eskaluar që nga dita kur dha një intervistë për faqen armene të lajmeve, CivilNet, më 31 maj, në të cilën aktivisti i njohur opozitar në rrjetet sociale bëri një thirrje të rrallë për paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Gjatë kësaj interviste, azeri 27 vjeç tha: “Ju jeni armenë, unë jam azer. Ndoshta do të ketë njerëz në vendet tona që na quajnë tradhtarë, por s’ka rëndësi çfarë thonë ata. Dialogu ynë është mbirja e varës së parë (të paqes). Mbi të gjitha, sa gjatë do të vazhdojmë që ta vrasim njëri-tjetrin? Kjo duhet të ndalet.”
Në një pikë tjetër të intervistës, ai e krahasoi Azerbajxhanin me Armeninë. “Për mua, ju armenët jeni të lumtur. Së paku, ju jeni të lirë. Ne po zvarritemi. (Qeveria) na ka gënjyer, duke thënë se fituam, por ku është ajo fitore? A konsiderohet fitore që ne e lamë ushtrinë ruse në Nagorno-Karabak”, shtoi ai.
Në Nantes, ai ka marrë një varg kërcënimesh pas kësaj interviste, duke e bërë që të frikësohet për jetën e vet. Mirzali i largua nga Azerbajxhani më 2016 dhe shkoi në Francë, pasi ishte përballur me presion të shtuar nga autoritetet në atdhe, shkruan Free Europe.
Një ditë pas intervistës, atij dikush ia theu xhamin e veturës dhe i la një letër në gjuhën turke, në të cilën shkruhej: “Kjo është për ty”. Të nesërmen, ai pa një burrë që fliste në gjuhën azere afër banesës së tij, për të cilin tha se bëri fotografi dhe u mundua t’i hynte në banesë. Mirzali iku nga personi i panjohur para se të vinte policia franceze.