Bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan ishin destinacioni i mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë ditëve që lamë pas.
Porti i Vlorës bën të ditur “vetëm të shtunën dhe të dielën 1700 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.
Sipas portit, pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë shtetas të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, etj.
Qyteti i Vlorës tashmë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Gjatë mëngjesit të sotëm në portin e Vlorës ka mbërritur edhe jahti “Planet nine”.
Në portin e Vlorës edhe gjatë kësaj vere operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh/