Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se zvogëlimi i buxhetit për ndihma nga Britania e Madhe përbën rrezik që miliona njerëz të vdesin nga sëmundjet e neglizhuara tropikale.
Rreth 280 milionë tabletave jetëshpëtuese mund t’iu dalë afati i përdorimit dhe duhet të shkatërrohen për shkak të tërheqjes së të hollave britanike, tha agjencia e Kombeve të Bashkuara.
Buxheti vjetor i Mbretërisë së Bashkuar për ndihma të jashtme është zvogëluar nga 0.7 në 0.5 për qind të të ardhurave kombëtare ose rreth 4 miliardë funte, shkruan BBC.
Ministrat britanikë kanë thënë se 10 miliardë funte do të shpenzohen për ndihma të jashtme gjatë këtij viti, ndërsa 1.3 miliard funte prej tyre do të ndahen për shëndetin global.
OBSh-ja tha se para pakësimit të buxhetit për ndihma, Britania e Madhe u ka ofruar fonde 19 shteteve përmes programit shëndetësor. Një pjesë e madhe e ndihmave është shfrytëzuar për shpërndarjen e ilaçeve jetëshpëtuese por pa këtë ndihmë, agjencia tha se ka gjasë që 277 milionë pilulave t’iu skadojë afati dhe duhet të shkatërrohen.
Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se është detyruar që të marrë vendime të vështira për largimin nga programet kundër sëmundjeve për shkak të ndikimit financiar të pandemisë së koronavirusit.