Sapo mori mandatin e tretë, Lulzim Basha, nuk ka humbur kohë duke e futur Partinë Demokratike në proces reformimi. Nesër në orën 11:00, PD do të mbledh Kryesinë, e cila do të nisë analizën për zgjedhjet e 25 prillit dhe do të thërrasë Kuvendin Kombëtar me 17 korrik.
Pas rikonfirmimit për një mandat të tretë në krye të selisë blu, Lulzim Basha, do të fusë Partinë Demokratike në një proces të thellë reformimi.
Të premten në orën 11:00, ka thirrur mledhjen e Kryesisë e cila do të thërrasë Kuvendin Kombëtar për në datën 17 korrik, si dhe do të diskutojë dhe do të marrë vendim për nisjen e një analize në çdo kuti votimi të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit.
Lulzim Basha e cilëson “masakër elektorale” 25 prillin, po kjo nuk e pengon atë që të analizojë dhe evidentojë edhe problemet brenda partisë së tij.
Anëtarët e Kryesisë pritet të diskutojnë dhe të vendosin gjithashtu nëse Kuvendi Kombëtar do të ketë në fokus edhe nisjen e procedurës për për të zgjedhur organet drejtuese të partisë, edhe pse mandati i tyre nuk ka përfunduar apo për të bërë ndryshime në statutin e kësaj force politike.
Kjo mbetet për tu parë dhe është në vullnetin e organit më të lartë, pasi Këshillit Kombëtar mandati i përfundon në vitin 2022, ndërsa sekretariateve dhe nënkryetarëve u përfundon në fillim të vitit 2023.
Partia Demokratike është para sfidës së riorganizmit të saj, por edhe vendimeve të rëndësishme në raport me institucionet në fillimin e legjislaturës së re parlamentare.