Bashkimi Evropian ka humbur të premten betejën ligjore në Bruksel për ta detyruar kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca që ta përshpejtojë shpërndarjen e 120 milionë dozave të vaksinës së saj kundër COVID-19 për bllokun deri në fund të muajit qershor.
Kompania ka bërë të ditur se BE-ja ka humbur rastin ligjor, porse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se vendimi i gjykatës e mbështet qëndrimin e bllokut se gjiganti farmaceutik nuk i ka respektuar zotimet e bëra.
AstraZeneca ishte zotuar që të shpërndante në BE 300 milionë doza të vaksinës deri në fund të qershorit, por vonesat në prodhim kanë ndikuar në tkurrjen e kësaj shifre në 100 milionë.
Megjithëkëtë, gjyqtari i rastit ka urdhëruar AstraZenencan që t’i dërgojë bllokut 15 milionë doza të vaksinave deri më 26 korrik, 20 milionë doza të tjera deri më 23 gusht dhe rreth 15 milionë të tjera deri më 27 shtator.
Nëse nuk i përmbahet këtij plani, atëherë kompania është paraparë që të paguajë nga 10 euro për secilën dozë të padorëzuar.