UEFA ka vendosur të ndalojë ekspozimin e birrës për reklamë në konferencat për shtyp të lojtarëve myslimane gjatë Euro 2020. Diçka e tillë do të ndodhë nëse lojtari mysliman do ta kërkojë shprehimisht heqjen e shisheve reklamë.
Konfirmimi erdhi nga një zëdhënës i organit drejtues të futbollit evropian për “Daily Telegraph”: “Ne do ta pyesim lojtarin nëse dëshiron ta heqë birrën, edhe nëse është joalkoolike. Sponsori është këshilluar për raste të tilla dhe ka rënë dakord.”
Për të bindur UEFA mjaftoi veprimi i mesfushorit francez, Paul Pogba, i cili bëri jehonë pas gjestit të Ronaldos me Coca Cola, duke lëvizur një pije të vendosur midis tij dhe kamerave. UEFA kishte specifikuar se ajo birrë e një prej sponsorëve kryesorë të turneut ishte në të vërtetë joalkoolike.”