Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në një intervistë për Euronewsin në Serbi ka thënë se edhe po ta dinte se cili është kompromisi me Kosovën ai nuk do të fliste hapur për këtë.
“Edhe po ta dija nuk do të flisja, ndërsa deri tek zgjidhja e kompromisit duhej të vijmë kur edhe njëra anë dhe tjetra duhet të lëshojnë pe, dhe jo në atë që ju duhet të dilni me një qëllim të pranueshëm dhe pastaj ta detyroni palën tjetër ta pranojë atë. Thjesht nuk është e mundur” ka thënë Vuçiq.
Ndërsa në pyetjen nëse Serbia është e gatshme të lëshojë pe Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromise ndërsa populli është ai që vendos në fund.
Kur është pyetur për kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shkarkohet Veljko Odaloviq, Vuçiq është shprehur: “Nëse na e kërkon SHBA-ja ne si shtet i pavarur, sovran dhe i përgjegjshëm nuk duhet ta pranojmë e lëre më të na e kërkojë Prishtina për shumë arsye. Pra edhe me mesazhe të tilla poshtëruese përmes së cilave dikush tenton të na mësojë dhe të na mbajë ligjërata se kush duhet në cilën vend të tjetër, atëherë askush prej tyre nuk do të duhej të jetë në vendet e tyre. Rrini në vendet tuaja . Le të bëjmë gjithçka që mundemi për njerëzit e zhdukur, të gjejmë një zgjidhje , të kryejmë gërmime” ka thënë Vuçiq.
Më tutje Vuçiq ka thënë se pranimi i Kosovës nga ana e Serbisë do të thotë ulëse në OKB.
“Ulësja në OKB nuk varet vetëm nga ne, ngase të tjerët mund të vendosin ndryshe. Por sa na përket neve, kurrë, ndërsa sa i përket të tjerëve, këtë nuk e di”, tha Vuçiq.