Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark. Ajo i ka thënë Clarkut se simbolizon vendosmërinë e botës demokratike për t’u vënë në mbrojtje të jetëve njerëzore.
Osmani ka shtuar se gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të popullit të Kosovës.
“Nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme t’jua ritheksojmë mirënjohjen tonë për atë që ju bëtë për Kosovën në momentet më të vështira të historisë së saj. Rrëfimi juaj për Kosovën duhet të vazhdojë të dëgjohet gjithandej botës”, ka theksuar Osmani.
Ndërsa, gjenerali Clark shprehu kënaqësinë që po rikthehet në Kosovë duke shprehur gatishmërinë që të vazhdojë ta përkrahë Kosovën.
“Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës dhe këmbëngulësisë së qytetarëve të këtij vendi për ta fituar lirinë”, tha gjenerali Clark.