Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, për disa ditë do të mund të themi se, pas kaq shumë njoftimesh, do të nisë më në fund epoka e turizmit hapësinor. Në diskutim janë dy projekte, ai i kompanisë “Virgin Galactic” i Riçard Branson, që duhet të çojë turistët e parë në hapësirë më 11 korrik, dhe ai i “Blue Origin” i Xhef Bezos, themeluesit të Amazon, që duhet të fillojë 9 ditë më vonë, më20 korrik.
Por muajt e fundit, gara për të pushtuar hapësirën për synime turistike ka shfaqur një seri kthesash. Njoftimi i parë erdhi nga Xhef Bezos, që njoftoi se fluturimi i parë i një turisti në hapësirë do të ndodhëmë20 korrik, data e zgjedhur enkas në kujtim të përvjetorit të uljes së parë të njeriut në Hënë.
Më vonë Bezos specifikoi se do të ishte vetë në bordin e anijes së tij kozmike“Blue Origin”, bashkë me vëllain e tij Mark. Por pastaj njoftoi se “bileta” do të shitej në ankand. Ajo iu shit një blerësi anonim por të pasur. Nëse lajmi është i vërtetë, ky udhëtim do t’i kushtojë plot 28 milionë dollarë, shumë që do të shkojë për bamirësi.
Pastaj erdhi zhvillimi i kohëve të fundit:një vend në anije do të zërë edhe 82 vjeçarja Uolli Fank, një pilote me përvojë që gjatë testeve të kryera nga NASA në vitet 1960, pasi kishte demonstruar së bashku me 12 gra të tjera se ishte plotësisht e aftë të fluturonte në hapësirë, u refuzua nga NASA që preferoi të përqendrohej vetëm tek burrat.
Por kur sytë e të gjithë botës ishin fokusuar tek “Blue Origin”, doli në skenë Riçard Branson dhe kompania e tij “Virgin Galactic”. Turisti i parë hapësinor do të jetë vetë Branson, që më 11 korrik do të hipë në bordin e “Unity”, një avion-raketë që do të çohet në një farë lartësie nga avioni-mëmë “Scaled Composites Model 348 White Knight Two” (WK2).
“Unity” do të lëshohet nga rreth 15 kilometra lartësi dhe prej andej, pas një fluturimi disa minutash, ai do të arrijë në mënyrë autonome një lartësi prej 80-100 kilometrash. Në atë pikë Branson dhe ekuipazhi do të përjetojnë mungesën e gravitetit, do të admirojnë errësirën e Universit në njërën anë, dhe blunë e Tokës në anën tjetër.
Por a do të jetë Branson fituesi i garës së turistit të parë hapësinor? Në këtë pikë ka diskutime të vazhdueshme. Së pari, lëshimi i “Virgin Galactic” konsiderohet si eksperimental dhe jo një fluturim “rutinë” (siç do të jetë për Blue Origin).
Një arsye tjetër lidhet me lartësinë e arritur. Nëse anija kozmike e “Virgin Galactic” nuk do të arrijë as 100 kilometra lartësi, ndoshta Branson nuk do të jetë në gjendje që ta quajë veten astronaut në të gjitha aspektet.
Në fakt, sipas konventave të ndjekura nga shumica e fizikantëve dhe organeve rregullatore, që dikush të jetë në gjendje të thotë se ndodhet “në hapësirë”, duhet të kalojë të ashtuquajturën “Vijën Karman”, pra lartësinë rreth 100 km nga Toka, ku ajri fillon të jetë aq i hollë sa që nuk mund të funksionojnë sistemet shtytëse të bazuara tek forca aerodinamike.
Edhe Kombet e Bashkuara e kanë pranuar historikisht këtë konventë, e cila e konsideron “Vijën e Karman” si kufirin e hapësirës. Nga ana tjetër, autoritetet në SHBA, kanë njohur një kufi më të vogël, dhe marrin parasysh lartësinë rreth 80 km.
Sipas Endrju Halej (avokati amerikan që u specializua i pari në vitet 1960 mbi ligjin hapësinor), kjo është lartësia kur avionët tradicionalë pushojnë së prodhuari forcën që i mban pezull gjatë fluturimit. Në fakt as Branson dhe as Bezos, nuk do të jenë njerëzit e parë jo astronautë që do të udhëtojnë në hapësirë duke paguar nga xhepat e tyre.
Deri më sot, 7 persona janë pritur si turistë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar për periudha prej 8-10 ditësh. Turisti i parë ishte Denis Tito në vitin 2001, saktësisht 20 vjet më parë. Si ai, ashtu edhe të gjithë të tjerët, u detyruan t’i nënshtroheshin një trajnimi disa mujor të kryer në Rusi dhe Shtetet e Bashkuara. Në fakt, të jetosh në Stacionin Hapësinor (ISS) kërkon një trajnim të konsiderueshëm, pasi asgjë nuk mund t’i lihet rastësisë.
Dhe mbase kjo është pikërisht ajo që e dallon një mision turistik në ISS nga një fluturim suborbital (pra që nuk shkon deri në orbitë, por rikthehet në Tokë pas disa minutash) si ato të planifikuara nga Branson dhe Bezos. Mundësia e përgatitjes brenda disa ditësh (përveç kostos së “biletës”, që për Stacionin Hapësinor është disa dhjetëra milionë dollarë, ndërsa për këto fluturime suborbitale është rreth 200-300 mijë dollarë).
Ndërsa shumë prej nesh presin të shohin se si do të shkojnë këto misione të para hapësinore me turistë në bord, “të tjerët” nuk po rrinë duarkryq:SpaceX po planifikon të nisë në fund të këtij viti misionin “Inspiration 4”, financuar nga miliarderi Xhared Isakman, qëllimi i të cilit është të arrijë në orbitën e ulët të Tokës, pak mbi ISS, dhe të qëndrojë atje për rreth 4 ditë.
Ndërsa Rusia ka në plan të lëshojë anijen “Soyuz” në tetor të këtij viti, që do të çojë në bordin e Stacionit Hapësinor aktoren Julia Peresild dhe regjisorin Klim Shipenko për të xhiruar skenat e një filmi. / Focus – Bota.al