Sistemi shëndetësor i Tunizisë “ka kolapsuar” dhe njësitë e kujdesit intensiv të koronavirusit janë tejmbushur, sipas zyrtarëve shëndetësorë të cilët paralajmëruan se varianti shumë infektiv Delta po dominonte në rajonin e prekshëm të Lindjes së Mesme.
Ushtria tuniziane ka vendosur të zbatojë një bllokim të ri në disa zona pasi gati 10.000 raste të reja me koronavirus dhe 134 vdekje u regjistruan vetëm të mërkurën, një rekord ditor që nga fillimi i pandemisë.
Nisaf Ben Alia, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetit të Tunizisë ka thënë se situata ishte “katastrofike” dhe ia atribuoi valën e shpejtë Delta e cila po përhapet shpejt në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 14 nga 22 vendet në rajon kanë regjistruar tani variante të reja dhe më infektive, me rritje shqetësuese në vendet përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Libia, Iraku dhe Maroku.
Në Tunizi, Ben Alia ka thënë se kishte mungesa akute në shtretër dhe oksigjen, me punëtorët shëndetësorë që janë dërrmuar nga lodhja. Mediat lokale raportuan se mjekët janë detyruar të lënë trupat e viktimave në dhomat pranë pacientëve të tjerë sepse morgjet janë tej mbushur.
Pierre Nabeth, i cili punon për programin e urgjencave shëndetësore të OBSH-së në rajon, e quajti situatën në Tunizi “shumë alarmante”, veçanërisht pasi vetëm rreth 12 për qind e popullsisë janë vaksinuar.
Si një masë paraprake Libia mbylli të enjten kufirin me Tunizinë për shqetësimet e një vale të tretë e cila mund të gjunjëzojë sistemin e saj të kujdesit shëndetësor të shkatërruar nga lufta.
Universitetet dhe shkollat në Libi kanë pezulluar mësimet për rreth dy javë për të njëjtën arsye.
Tunizia ka vendosur një bllokim të plotë në rajonin qendror të vendit nga 9-17 korrik pasi shkalla e infeksionit arriti në 472 për çdo 100.000 banorë.
Bllokime të rrepta janë njoftuar gjithashtu në kryeqytetin dhe provincat përreth ndërsa ushtria dhe forcat e sigurisë janë vendosur për të zbatuar kufizimet.
Rreth 8.300 raste u regjistruan vetëm të enjten duke i çuar gjithsej rastet në gati gjysmë milioni të infektuar.