Mijëra familje afgane kanë nisur të largohen nga vendi për shkak të frikës nga talebanët.
Para dy javësh ushtria amerikane u largua nga baza kryesore e Afganistanit në Bagram, duke u hapur rrugë talebanëve që të nisin të marrin kontrollin e shtetit, në shumë raste edhe pa luftë për shkak se forcat afgane po dorëzohen.
Sipas vlerësimeve, në 15 ditët e fundit, si pasojë e avancimit të talebanëve, më shumë se 5 mijë e 600 familje afgane janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica e këtyre familjeve u përkasin minoriteteve që në vitet e fundit janë kërcënuar nga talebanët.
Të shpërngulurit kanë kritikuar qeverinë për braktisjen e qyteteve, sidomos në pjesën veriore që është e pushtuar tërësisht nga talebanët.
Në shkurtin e vitit 2020, talebanët nënshkruan marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, e me të cilën u ndalohej pushtimi i provincave, mirëpo kjo marrëveshje është shkelur me largimin e ushtrisë amerikane.
Nëpër raportet përfundimtare, ushtria amerikane ka tërhequr vërejtjen se pas largimit, Afganistani mund të përfshihet në një luftë civile.