Sportistët në Lojërat Olimpike të Tokios, do t’i vendosin vetë medaljet e tyre rreth qafës për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.
Ky ndryshim shumë i rëndësishëm në ceremonitë tradicionale të medaljeve në 339 ngjarje në Tokio, u zbulua nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach.
“Medaljet nuk do t’iu vendosen sportistëve rreth qafës. Ato do t’i paraqiten sportistit atletit në një tabaka dhe më pas atleti do të marrë vetë medaljen. Do të sigurohemi që personi që do të vendosë medaljen në tabaka do ta bëjë këtë vetëm me doreza të dezinfektuara në mënyrë që sportistët të jenë të sigurt se askush nuk i ka prekur më parë”, ka thënë Bach.
Qasja olimpike është e ndryshme nga futbolli në Evropë, ku presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin personalisht ka varur medalje në qafën e lojtarëve. Çeferin gjithashtu shtrëngoi duart me portierin e spikatur të Italisë, Gianluigi Donnarumma. Bach konfirmoi se në Tokio “nuk do të ketë shtrëngim duarsh dhe nuk do të ketë përqafime gjatë ceremonisë”.
Medaljet olimpike zakonisht paraqiten nga një anëtar i IOC-s, ose një zyrtar kryesor në organin drejtues të një sporti. IOC-ja më parë kishte thënë që medalistët dhe zyrtarët e ceremonisë do të duhej të mbanin maska. Lojërat Olimpike të Tokios hapen më 23 korrik në një gjendje të jashtëzakonshme dhe një numër në rritje të rasteve me COVID-19 në qytet.