Një shofer britanik ka marrë dënimin e burgimit përjetë, pasi u akuzua se ka vrarë qëllimisht një shqiptar, duke e shtypur me makinë në rrugë në mënyrë makabre.
Makina e Tony Green-it, hipi në mënyrë të furishme në trotuar. Automjeti me shpejtësi goditi një tabelë rrugore. Kjo e fundit, goditi shqiptarin Shkëlzen Taka, duke e lënë të vrarë në vend.
Specifikisht, ngjarja ndodhi në Coton Lane, Erdington, një provincë e Birmingham-it.
Gjyqtari Melbourne Inman, ishte i qartë në vendimin e tij, kur i tha në seancë Green-it se “vdekja ishte vërtetë e tmerrshme”.
Sipas raportimeve nga media britanike shtetërore, BBC, 27-vjeçari Green pretendoi në gjyq se “e kishte kapur paniku gjatë drejtimit të mjetit”.
Gjithsesi, kamerat rrugore, të cilat kanë regjistruar ngjarjen, tregojnë qartësisht mjetin që ecën me shpejtësi të lartë.
Taka, kishte mbërritur në Britani prej kohësh, që kur ishte fëmijë. Trupi i tij u la në rrugë pas aksidentit tragjik. Një kalimtar i rastit e pikasi dhe u vu në dijeni policia menjëherë.
Motra e të ndjerit, Sonila, pati thënë për BBC-në më parë, se “dita kur Shkëlzeni vdiq, ishte dita kur ajo vdiq”.
Green nga ana tjetër, ka mbi supe disa rekorde kriminale. Fatalitetin e Shkëlzen Takës, e ka cilësuar ndërkaq si një aksident fatkeq.