Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar në ambasadën e SHBA-ve me ambasadoren e re, Kejt Mari Bërns.
“Ahmeti i ka uruar ambasadores Bërns për detyrën e re, duke shprehur kështu se bashkëpunimi i suksesshëm me SHBA-të do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta me Maqedoninë ne BE dhe NATO.
Ata kanë biseduar edhe mbi arritjet e fundit në drejtim të kohezionit shoqëror, Marrëveshjen me Greqinë dhe Sofjen si dhe drejtimin e vendit drejt NATO-së dhe BE-së. Mirëpo, Ahmeti ka theksuar se ende ka shumë punë, sidmos në drejtim të sundimit të së drejtës dhe reformat në vend dhe llogaridhënien”, kanë njoftuar nga BDI.
“Vendi ynë po hapëron drejt integrimit euro-atlantik dhe me doemos duhet ti plotësojë standardet e kërkuara, BDI do të vazhdojë të përkrahë realizimin e reformave për të mirën e qytetarëve tonë”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu ka theksuar se të gjitha arritjet janë të përbashkëta dhe se SHBA-të, BDI-në e kanë një partner të sinqertë.