Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë vdekur tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci, raporton Gazeta Express.
Nga presidenca përmes një njoftimi për media kanë thënë se për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.
Kujtojmë që nga aksidenti në Kroaci 10 persona kanë vdekur ndërsa 45 janë lënduar.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Reklamë
Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.