Albumi i papublikuar i Wu-Tang Clan që sipërmarrësi i “Pharma Bro” Martin Shkreli e humb pasi u dënua për mashtrim, u shit të martën.
Vlera e shitjes nuk u bë publike, por prokurorët e çështjes thanë se shuma ishte e mjaftueshme për të mbyllur pjesën tjetër të borxhit prej 7.4 milion$ që i riu me origjinë shqiptare i ka shtetit amerikan pas dënimit në vitin 2018.
Sipërmarrësi dikur mburrej se kishte paguar 2 milion dollarë në 2015 për të marrë në duart e tij albumin me 31 këngë, që Wu-Tang Clan kaloi gjashtë vjet duke krijuar.
Më pas Shkreli e nxori albumin për shitje online, ku oferta fillestare ishte pak më shumë se një milion dollarë. Por ai u burgos për mashtrim para se të përfundonte shitja.
Albumi ishte i paketuar në një kuti argjendi dhe nikeli të punuar me dorë, i cili përfshin një libër me 174 faqe të mbështjella me lëkurë – për t’u parë si një pjesë e artit bashkëkohor.
“Me shitjen e sotme të këtij albumi, pagesa e tij ndaj shtetit është e plotë,”-tha avokati Jacquelyn M Kasulis.
Po ashtu autoritetet thanë se kontrata e shitjes për albumin përmbante një dispozitë konfidencialiteti që mbron informacionin në lidhje me blerësin dhe çmimin.
38-vjeçari Martin Shkreli pritet të lirohet në tetor 2022 pas vuajtjes së një dënimi me 7 vite në burg.
Ai u procedua penalisht pasi fitoi famë në 2015 kur rriti me 5,000% çmimin e Daraprim, një ilaç më parë i lirë që përdoret për të trajtuar toksoplazmozën, një infeksion parazitar që mund të jetë fatal për njerëzit me virusin e AIDS ose ndonjë tjetër çrregullimi në sistemin imunitar.