Si dhe përse dështoi operacioni për goditjen dhe asgjesimin e “anijes fantazmë’ pas urdhrit për të hapur zjarr mbi të që u komunikua nga Ministria e Mbrojtjes, urdhër të cilin kishte të drejtë ta jepte vetëm Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Enver Hoxha, pasi ta miratonte më parë në Këshillin e Mbrojtjes!
Publikohet historia e panjohur e ndodhur në mesnatën e 21 tetorit të vitit 1981, kur një nga repartet ushtarake të ‘Baterisë bregdetare’ të dislokuara në Gjirin e Vlorës, raportuan se në ujërat teritoriale shqiptare, jo shumë larg Kepit të Gjuhëzs, kishin zbuluar periskopin e një “objekti armik” dhe pas kësaj me urdhër të Komandës së Flotës Luftarake-Detare në Ministrisë e Mbrojtjes në Tiranë, u ngritën në alarm luftarak të gjitha repartet ushtarake dhe ato të Flotës Detare të dislokuar për gjatë gjithë Gjirit të Vlorës. Dëshmia e rrallë e Mahmut Lazrit, ish – shefit të Ndërlidhjes në Komandën e Ishullit të Sazanit, lidhur me urdhrin për zbulimin që i’u dha Regjimentit të Sazanit që kishte në dispozicion tre skuadrilje: (‘Kater siluruesa’, dy ‘Gjuajtësa detarë’ dhe dy ‘Dragamina’) të cilat i nxorri në det të hapur në brendësi të Gjirit të Vlorës për të përmbushur detyrën luftarake nën urdhrat e komandantit të ishullit, Tasim Meçe. Si dhe përse dështoi operacioni për goditjen dhe asgjesimin e “anijes fantazmë’ pas urdhrit për të hapur zjarr mbi të që u komunikua nga Ministria e Mbrojtjes, urdhër të cilin kishte të drejtë ta jepte vetëm Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Enver Hoxha, pasi ta miratonte më parë në Këshillin e Mbrojtjes! Çfarë nxorën hetimet disa mujore që u bënë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Hetuesisë Ushtarake, lidhur me atë ngjarje e cila dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë objekt debatesh në mes ish-ushtarakëve që morën pjesë në atë operacion luftarak dhe a ishte i implikuar vërtet Kadri Hazbiu me atë ‘incident’, ashtu siç do ta akuzonte Enver Hoxha pak kohë pas arrestimit të tij?!
“Rreth orës 10.20 minuta, gjuajtësi detar që kishte marrë urdhër për të mbajtur nën kontroll nëndetësen e huaj armike, kërkoi leje për të hapur zjarr mbi të. Këtë kërkesë që erdhi nga ajo anije që kishte mbi 20 marinarë në bordin e saj dhe që komandohej nga komisari Petro Kadëna, unë ja raportova Operativit të ishullit të Sazanit, që ishte dhe komanda jonë superiore. Në atë kohë, Tasim Meçe që ishte komandant i përgjithshëm i ishullit, mori vetë nën komandë drejtimin operativ të situatës luftarake që ishte dhënë, pas lajmit se një nëndetëse e huaj ishte futur në brendësi të Gjirit të Vlorës. Pas raportimit tim, kërkesën e gjuajtësit për të hapur zjarr, Operativi i ishullit, ja raportoi Operativit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u lidh direkt me Ministrin Kadri Hazbiu dhe ja bëri prezent atë gjë. Pas asaj, nga Operativi i Ministrisë së Mbrojtjes me anë të radio-sinjalit, na erdhi urdhri: ‘Hapni zjarr, asgjësoni nëndetësen’. Këtë urdhër, Operativi i Ministrisë, ja dha me anë të telefonit, Komandës së ishullit, kurse mua, Operativi i saj ma dha me anë të radio-sinjalit. Që nga çasti që ‘gjuajtësi detar’, kërkoi leje për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj, e deri në marrjen e urdhrit, i cili e aprovonte atë gjë, nuk kaluan më shumë se shtatë minuta. Urdhri për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj e cila konsiderohej armike dhe që kishte shkelur në mënyrë flagrante ujërat teritoriale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, sipas të gjitha rregulloreve ushtarake që dispononte asokohe ushtria shqiptare, është dhëne direkt nga Enver Hoxha. Them kështu, sepse për dhënien e atij urdhri, nuk kishte kompetencë asnjeri tjetër përveç Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxhës dhe atë gjë ai duhet ta bënte vetëm me miratimin e Këshillit të Mbrojtjes”.
Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al, është Mahmut Lazri, ish – ushtarak për më shumë se tre dekada me radhë, nga të cilat 13 vite (1976-1988) i kaloi me shërbim në ishullin e Sazanit, me detyrën e shefit të Qendrës së Ndërlidhjes, pranë komandës së atij ishulli, i cili për herë të parë bën publike atë ngjarje të largët të vitit 1981, kur një nëndetëse e huaj, nëpërmjet mezo-kanalit që ndodhej midis Sazanit e Kepit të Gjuhëzs, u fut në brendësi të Gjirit të Vlorës. Po çfarë ishte ajo anije dhe kujt i përkiste, sovjetikëve apo Flotës së VI-të amerikane që ishte dislokuar asokohe në ujërat e Mesdheut? Si mundi që të futej ajo në mes ishullit të Sazanit e Karaburunit, pa u diktuar nga aparaturat e sofistikuara që dispononte asokohe ushtria shqiptare, e në veçanti distriktet detare të ishullit Sazanit dhe baza e famshme e Pasha-limanit?! Cili ishte misioni i vërtetë i asaj nëndetëseje që thuhej se: ‘në bordin e saj mbante ngarkesë atomike’ dhe a kishte lidhje ajo me Kadri Hazbiun e Mehmet Shehun, të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha në vitin 1982 kur u godit Hazbiu, si të implikuar me atë incident?! Si mundi që të shpëtonte ajo nëndetëse pa u asgjesuar edhe pas urdhrit për të hapur zjarr mbi të, nga gjashtë minat që hodhi ‘Dragamina’ e Regjimentit të Sazanit, e cila kishte raportuar se kishte nën kontroll gjithë lëvizjet e sajë? Përse ai incident, u konsiderua si “njolla më e zeza”, gjatë gjithë historisë së ishullit të Sazanit?
Si u zbulua nëndetësja e huaj në Gjirin e Vlorës?
Ka qenë ora 21.00 e mbrëmjes së 21 tetori të vitit 1981, kur një nënoficer i ‘Baterisë bregdetare’ të Kepit të Gjuhëzës, i cili kryente shërbimin e rojës pranë atij reparti, diktoi me sy të lirë një periskop nëndetëseje në brendësi të Gjirit të Vlorës. Largësia nga bateria ku ndodhej nënoficeri, e deri tek periskopi i nëndetëses, nuk ishte më shumë se 1 milje detare. Mbasi e vuri re atë gjë, e cila nuk ishte një objekt i zakonshëm, nënoficeri i rojës së ‘Baterisë bregdetare’, menjëherë u lidh me telefon me Operativin e Bazës së Nëndetëseve të Pasha-limanit dhe e pyeti atë, nëse kishin ndonjë nëndetëse në lundrim brenda Gjirit të Vlorës. Operativi që kryente shërbimin e rojës pranë bazës së famshme, nga ana tjetër e telefonit ju përgjigj, se ai nuk i jepte llogari një kapter. Edhe pas kësaj përgjigje, nënoficeri i shërbimit, i shtyrë nga kurioziteti që ja jepte detyra të cilën e ushtronte prej vitesh, nuk e la me aq atë gjë, por u lidh vetë me anë të radios me operativin që shërbente pranë Komandës së Flotës Luftarake-Detare, në Ministrisë e Mbrojtjes në Tiranë. Ai e sinjalizoi Operativin e Ministrisë, duke i thënë se: në afërsi të ‘Baterisë bregdetare’ të Kepit të Gjuhëzs, kishte vënë re një periskop nëndetëseje. Mbas këtij sinjalizimi, Operativi i Ministrisë, ngriti në alarm luftarak, Regjimentin e anijeve mbiujëse, që ishte i dislokuar në ishullin e Sazanit. Pas ngritjes në alarm të regjimentit të anijeve, aty rreth orës 24.00, nëndetësja u zhduk nga vrojtimi dhe periskopi i saj nuk po dukej më. Po çfarë ishte ajo nëndetëse dhe si kishte mundur ajo që të futej pa u diktuar nga radarët e lokacionit, deri në brendësi të Gjirit të Vlorës, i cili asokohe ishte i pajisur me të gjitha armët e teknikën më moderne që dispononte ushtria shqiptare?
Nëndetësja, sovjetike apo amerikane?
Lidhur me këtë gjë, Mahmut Lazri, ish – ushtarak dhe shef i Qendrës së Ndërlidhjes pranë Komandës së Grupimit në ishullin e Sazanit, dëshmon: “Identifikimi i asaj nëndetëse nga ana e reparteve që asokohe ishin të dislokuara në Sazan, Karaburun dhe në bregdetin e Vlorës, pothuaj ishte shumë i vështirë. Kjo gjë lidhej me shumë probleme teknike. Zhytja e nëndetëses, menjëherë pas ngritjes në alarm të regjimentit të anijeve të Sazanit, për ne solli shumë dyshime. Po të ishte nëndetëse sovjetike, zhytja e saj nuk do të kishte mundësi teknike për t’u realizuar, pasi një nëndetse e asaj flote, që të realizonte zhytjen aty në atë vend, ku u vu re periskopi i saj, do t`i duheshin të paktën 40 metra thellësi, kur në të vërtetë thellësia maksimale që arrinte në Gjirin e Vlorës, nuk i kalonte 13 deri në 20 metra. Po kështu, mendohej se ajo nëndetëse mund të ishte dhe e Flotës së VI-të amerikane, që asokohe ishte e dislokuar në ujërat e detit Mesdhe. Mendohej kështu, pasi vetëm ato mund të zhvendoseshin pa i ndezur motorët dhe të lëviznin me anë të fuqisë që i jepnin bateritë, sepse po t’i kishte ndezur motorët, ajo do të diktohej nga radarët tanë. Përveç këtyre, ishte dhe një fakt tjetër që na bënte të besonim se ajo nëndetëse që ishte futur në brendësi të ujërave tona fare pranë bregdetit të Vlorës, duhet të ishte e sovjetikëve. Ky konkluzion mbështetej në faktin llogjik, sepse: brenda Gjirit të Vlorës, që nga koha që aty u vendosën rusët në fundin e viteve ‘50-të, ata kishin ndërtuar një poligon lundrimi për nëndetëset, i cili arrinte në 40 metra, aq sa duheshin për lundrimin e nëndetësve që dispononte asokohe baza e përbashkët sovjeto-shqiptare e Pasha-limanit. Nisur nga këto, asokohe mendohej se ajo nëndetëse mund të ishte dhe e Flotës Ushtarake Detar sovjetike, por kjo gjë ishte vetëm një supozim që kërkonte të verifikohej, për të nxjerrë përfundimin e saktë, lidhur me identitetin e saj”, kujton ish ushtaraku Lazri.
Urdhri: të zbulohet me çdo kusht nëndetësja armike!
Pas zhdukjes së nëndetëses, aty rreth orës 24.00 të mesnatës së 21 tetorit të vitit 1981, nga të gjitha repartet ushtarake që ishin të dislokuara në ishullin e Sazanit dhe ato të Karaburunit e të bregdetit të Vlorës, filluan përgatitjet për veprimet e mëtejshme ushtarake. Të gjitha këtyre reparteve, që ishin të pajisura me armatimet më moderne dhe të sofistikuara që dispononin asokohe ushtritë e vendeve të Traktatit të Varshavës, ju dha urdhër i prerë që: të zbulonin me çdo kusht objektin nënujor që ishte shfaqur në Gjirin e Vlorës. Lidhur me këtë, ish – oficeri i Ndërlidhjes, Mahmut Lazëri kujton: “Urdhri specifik për zbulimin e objektit nënujor që u shfaq në afërsi të Kepit të Gjuhëzës, fillimisht ju dha Regjimentit të Sazanit, i cili kishte në dispozicion tre skuadrilje ‘Kater siluruesa’, dy ‘Gjuajtsa detarë’ dhe dy ‘Dragamina’. Pas urdhrit të marrë, Regjimenti i anijeve mbiujëse i Sazanit, nxori në det të hapur në brendësi të Gjirit të Vlorës, gjashtë anije, nga të cilat, dy ‘Kater silurues’, dy ‘Gjuajtësa detarë’ dhe dy ‘Dragamina’. Të gjitha këto anije që dolën në kërkim të nëndetëses, përveç silurave, (predhave kundër objekteve të ndryshme detare), ishin të pajisura dhe me aparatura për zbulimin e objekteve të ndryshme nënujore. Nga ora 24.00 e mesnatës së 21 tetorit, e deri në orën 9.00 të mëngjesit të datës 22, nga të gjitha anijet që dolën në kërkim, nuk u vu re asgjë dhe nuk u arrit të kapej asnjë sinjal, qoftë dhe i dyshimtë, që të vërtetonte vend-ndodhjen e ndonjë objekti nënujor. Kjo gjë, justifikohej edhe me faktin, se gjatë gjithë atyre orëve që vazhdoi kërkimi, nëndetësja nuk kishte lëvizur fare, ose mund të kishte lëvizur pa i ndezur fare motorët, vetëm me fuqinë e baterive. Kështu që të gjashta anijet që kishin dalë në kërkim, nuk kishin asnjë lloj mundësie teknike për zbulimin e saj. Mbas orës 21.00 të datës 22 tetor, nëndetësja filloi lëvizjet për të dalë nga Gjiri i Vlorës, pa e nxjerrë fare periskopin mbi ujë. E vetmja rrugë ku mund të dilte ajo nga ai vend, ishte mezo-kanali, i cili ndodhet në mes të Kepit të Gjuhëzs dhe ishullit të Sazanit, ku thellësia arrinte deri në 80 metra. Me të gjashta këto anije unë mbaja lidhje me anë të Radio-rrjetit dhe të gjitha anijet me njëra-tjetrën, i mbanin lidhjet me anë të Radio-fonisë. Në atë kohë, mezo-kanali nga ku mendohej që do të dilte nëndetësja, u morr nën kontroll, nga ‘Gjuajtësi i madh’, që ishte njëra nga gjashtë anijet që dolën në kërkim”, kujton ish – shefi i Ndërlidhjes i Komandës së Grupimit pranë ishullit të Sazanit, ku në paraditen e 22 tetorit të vitit 1981, gjashtë mjeteve4 detare të ‘Regjimentit të anijeve mbiujëse’ u ishte dhënë urdhri i prerë që të zbulonin me çdo kusht objektin nënujor që ishte futur në ujërat e bregdetit të Vlorës.
Zbulimi i nëndetëses
Pas shumë kërkimesh, nga të gjashtë anijet që kishin dalë në kërkim të nëndetëses fantazmë, aty rreth orës 9.00 të paradites, së 22 tetorit 1981, u zbulua vendndodhja e sajë. Lidhur me këtë, Mahmut Lazri, ish – shefi i Ndërlidhjes kujton: “Pasi gjashtë anijet kishin kërkuar gjithë natën dhe kur mendohej se nuk ekzistonte asnjë objekt nënujor në ujërat e Gjirit të Vlorës, rreth orës 9.00 të mëngjesit, anija ‘Gjuajtësi i madh’, zbuloi vend-ndodhjen e nëndetëses. Kjo gjë u bë e mundur, jo me anë të radarëve, pasi nëndetësja nuk i kishte ndezur fare motorët, (që të mos zbulohej), por me anë të aparatit hidroakustikë, për zbulimin e objekteve nënujorë, që dispononte ‘Gjuajtësi i madh’. Pas kësaj, aty rreth orës 9.00, anija ‘Gjuajtësi i madh’, raportoi zbulimin e nëndetëses dhe njoftoi se atë e kishte nën kontroll, në një largësi më pak se një milje. Sipas njoftimeve që vinin pranë Qendrës së Ndërlidhjes së Komandës së Grupimit në ishullin e Sazanit, ku isha unë, së bashku me vartësit e mi që ishim në shërbim, (një oficerë dhe tre nënoficerë), nga ana e oficerëve që drejtonin ‘Gjuajtësin e madh’, na thuhej se: nëndetësja po lëvizte në poligonin që kishin ndërtuar sovjetikët nga fundi i viteve ‘50-të. Menjëherë pas marrjes së njoftimit se: gjuajtësi i madh kishte zbuluar vend-ndodhjen e nëndetëses, unë me anë të radiove njoftova Operativin e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore në Tiranë, duke i thënë se objekti nënujor, ndodhej nën kontrollin e ‘Gjuajtësit’ tonë. Aty rreth orës 10.00, kur nuk kishte kaluar më shumë se një orë nga koha kur ‘Gjuajtësi’ njoftoi zbulimin e objektit nënujor, përsëri në komandën ku isha unë me gjithë katër vartësit e mi, nga ana e oficerëve që komandonin ‘Gjuajtësin’, më erdhi sinjali se ata kërkonin urdhër për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj armike që e kishin zbuluar dhe e kishin nën kontroll. Në atë anije që quhej ‘Gjuajtësi i madh’, kishte rreth 20 marinarë. Grupi prej gjashtë anijesh që doli në kërkim të objektit nënujor, ose ‘nëndetëses’, siç ishte identifikuar ajo, (për shkak të periskopit që ishte venë re nga ana e nënoficerit të baterisë së Kepit të Gjuhëzës,) atë ditë ishte nën komandën e komisarit Petro Kadëna. Mbasi nga ana e ‘Gjuajtësit’ u kërkua leje, për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj armike, unë atë gjë ja transmetova Operativit të ishullit të Sazanit, që ishte dhe Komanda jonë eprore. Atë ditë, në vendin e Operativit të ishullit, ishte vetë komandanti i Sazanit, Tasim Meçe, i cili kishte marrë nën drejtim operativ, situatën luftarake dhe… “. /Memorie.al