Kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Moskë të premten e ardhshme për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
”Detajet e axhendës së tyre do të shpallen në ditët në vijim”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.
Kremlini tha se dy liderët do të diskutojnë marrëdhëniet gjermano-ruse si dhe çështje problematike ndërkombëtare.
Marrëdhëniet midis Berlinit dhe Moskës janë të tensionuara, me mosmarrëveshje mbi kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, një vrasje të supozuar të urdhëruar nga Rusia të një qytetari gjeorgjian me origjinë çeçene, në një park të Berlinit në vitin 2019, dhe një sulm hakerash ndaj parlamentit gjerman në 2015.
Merkel ishte për herë të fundit në Moskë në janar 2020.
Pas vizitës në kryeqytetin rus, Merkel do të shkojë në Ukrainë. Detajet e asaj vizite gjithashtu nuk janë publikuar nga qeveria në Berlin.
Kievi ndërkohë deklaroi se Merkel do të takohej me kryeministrin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar sigurinë dhe marrëdhëniet dypalëshe.