Ajo që po ndodh këto ditë në Kabul është një gjenocid i vërtetë, dhe po ndodh para syve tanë. Burra, gra, të moshuar, adoleshentë dhe fëmijë të detyruar të arratisen, për të kërkuar shpëtim nga persekutimi i talebanëve që pushtuan Kabulin.
Dhe nuk është rastësi që po ndodh pikërisht tani. Ata që e njohin mirë historinë bashkëkohore, e dinë se zgjedhja e Bajden për të tërheqë trupat amerikane nga Afganistani mund të jetë një strategji e pastër, në krahasim me atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, me shfaqjen e fronteve të reja në skakierën gjeopolitike globale.
Por ndërsa e gjithë bota është e tronditur nga video dhe fotot që na vijnë nga Afganistani, spikati si lajm vendimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të dërguar avionë në Afganistan për të ndihmuar popullsinë civile, dhe për t’i siguruar një strehim të përkohshëm në vendin e tij atyre që i ikin persekutimit.
Kryeministri shqiptar parashtroi në një postim të gjatë në Facebook arsyet që e shtynë të veprojë menjëherë. Ai rikujtoi hebrenjtë që gjetën dikur strehë në Shqipëri, dhe se asnjë nga 2 mijë njerëzit që u arratisën nga regjimi i Adolf Hitlerit nuk iu dorëzua nazistëve.
Kësisoj, përveç dhënies së një mësimi për Perëndimin, Edi Rama, udhëheqës i një demokracie të re në një vend me shumicë myslimane, ka marrë gjithashtu një pozicion të qartë që tingëllon si një paralajmërim për ndjenjat kaotike dhe kontradiktore të përhapura në demokracitë perëndimore mbi atë që po ndodh në Afganistan: talebanët janë nazistët e mijëvjeçarit të ri.
Unë jam e kënaqur që mësoj se këtë herë vendi im i lindjes, është në gjendje t’i tregojë Perëndimit se çfarë do të përfshihesh në lojë, përtej komploteve dhe interesave të ngushta politike dhe ekonomike. Shpresoj që në orët e ardhshme edhe atdheu im adoptiv, Italia, të jetë në lartësinë e Kushtetutës së saj demokratike, duke qenë një pjesë aktive në ndihmën që duhet t’u jepet civilëve afganë.
Dallimi midis 2 kulturave të vdekjes, si ajo e nazistëve dhe talibanëve, ka të bëjë vetëm me faktin se nazistët pohonin superioritetin e një race mbi tjetrën, ndërsa talebanët mbrojnë epërsinë e gjinisë mashkullore mbi atë femërore:synimi i tyre i vërtetë është një patriarkalizëm i çmendur dhe pervers, që synon asgjësimin moral dhe fizik të grave.
Skllavërimi i grave është një fakt stërgjyshor i shumë kulturave në botë. Me sa duket këto zakone të rrënjosura thellë, nuk mund të vihen në dyshim në Afganistan. Ata që ikin sot nga ky vend, ata që kapen me dëshpërim pas krahëve të avionëve, janë burra dhe gra që e kanë “kompromentuar” veten me idealet perëndimore të barazisë, dhe nuk janë më të gatshëm të vuajnë nga një kulturë kriminale që e pranon martesën e vajzave të vogla 8-vjeçare, për t’i varrosur më pas të nesërmen e natës së parë të martesës.
Në këto momente më vjen ndërmend një film i vjetër shqiptar, që më ka bërë shumë përshtypje që herën e parë që e kam parë, “14 vjeç dhëndër. Një familje e pasur, të paktën në krahasim me një varfërinë kolektive të kohës, vendos të martojë djalin e saj të vetëm 14 vjeçar me një vajzë 20 vjeçare, të pjekur fizikisht dhe të fortë, por që vjen nga një familje shumë e varfër, që të kryente rolin e shërbëtores në shtëpi.
Vajza e kundërshton këtë martesë. Ajo ngjitet në majën e një çatie dhe kërcënon me vetëvrasje. E ëma i lutet ta pranojë martesën, për t’u dhënë një shans motrave të saj më të vogla që të rriten disi më mirë se ajo vetë. E shtyrë nga ndjenja e fajit, e reja Marigo i dorëzohet fatit.
Në film ka një skenë që rrëfen në mënyrë të përkryer gjendjen e vështirë të grave në Shqipërinë rurale të atyre viteve. Si shumë gra të tjera, edhe Marigoja kthehej nga arat duke bartur mbi shpinë një grumbull me shkarpa.
Dy burra që pinin kafen nën hijen e pemëve në fshat, vëzhgojnë me kënaqësi rikthimin e grave nga arat. “Ne jemi burrat më me fat! Në botë nuk gjen si gratë tona”-thotë njëri prej tyre.
Por tjetri iu përgjigj:”Jo miku im, jemi ne më të mirët. Shërbimi ndaj nesh, është më e pakta që mund të bëjnë ato”. Ata që e kanë njohur këtë botë, dhe që janë ndarë me vështirësi prej saj, po dërgojnë sot avionë për të ndihmuar njerëzit në Kabul. / Anita Likmeta, Huffington Post Italia – Bota.al