Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Azi, Filip Riker porositi opozitën që t’i japë fund lojërave politike dhe të mos i bllokojë proceset. Riker porositi VMRO-DPMNE-në që të jetë konstruktive në proces dhe të mos rrezikojë reformat dhe datën për bisedime. Sipas Riker, nga Ligji për Prokurorinë Publike varet e ardhmja e vendit dhe perspektiva e qytetarëve.
“Roli i opozitës është krucial por ata duhet të jenë konstruktiv. Koha e lojërave politike, vendnumërimit dhe lojërat me ndjenjat e qytetarëve ka mbaruar. Mesazhi im është i thjeshtë: Është koha për t’u bërë bashkë dhe për të menduar për të mirën e vendit. Maqedonia e Veriut është duke ecur para në realizimin e qëllimeve që kanë qenë të zvarritura me dekada si proceset euroatlantike: anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Filip Riker, Ndihmës sekretar amerikan i shtetit për Evropë dhe Azi.
Edhe pse pritej që porosia e Riker t’i përafrojë qëndrimet mes pushtetit dhe opozitës, kjo e fundit doli me vendim të prerë. VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me propozimin e pushtetit mbi Ligjin për Prokurorinë Publike. Hristijan Mickoski mohoi se bën lojëra politike, duke shtuar se pas takimit me Riker, ky i fundit do ta kuptojë të vërtetën rreth lojërave politike.
“Unë do ta kem mundësinë që zotit Riker t’i tregoj se kush luan lojëra politike në shtet dhe do t’i tregoj në detaje. Riker si diplomat me eksperiencë, duke dëgjuar të dyja palët, pra pushtetin dhe opozitën, do të ndërtojë qëndrim të drejtë. Riker në asnjë moment nuk tha se opozita duhet sillet në mënyrë: mere ose lëre”, pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri Zoran Zaev ftoi përsëri opozitën të kyçet në proces. Duke folur për mënyrën e preferuar të miratimit të ligjit, Zaev shtoi se kjo duhet bërë në Kuvend dhe me konsensus. Në të kundërtën, mënyra e pa preferuar sipas Zaev është ajo e takimit të liderëve edhe pse javë më parë, ishte pikërisht Zaev ai i cili thirri takim liderësh për t’i harmonizuar qëndrimet rreth Prokurorisë Publike dhe të ardhmes së PSP-së.
“Mënyra e pa preferuar është ajo kur shteti gjithmonë është gjetur në situatë për të gjetur mënyra kundrejtë mënyrave normale. Metodat e tilla askush nuk i do aq më pak unë. Nëse deri më 15 shtator nuk miratohet ligji, përfundon mandati i shefes së PSP-së, por mandati i prokurorisë vazhdon edhe një vit. Në këtë situatë shteti do të jetë në pozitë jo të mirë për të gjetur mënyra jo të preferuara me qëllim që Prokuroria Publike të vazhdojë me punë, do të duhet të ulemi në takime liderësh, të shpikim mënyra, të vijnë ekspert me qëllim që të gjejmë zgjidhje”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Riker zhvilloi takim edhe me kreun e BDI-së nga i cili mori garancinë për mbështetje pa kompromis në proceset integruese dhe reformat. Gjatë ditës takoi edhe kreun e Kuvendit, Talat Xahferi, ndërsa pasdite pritet të takojë edhe opozitën shqiptare.