Ka shkuar në 46 numri i viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, për shkak të uraganit Ida që goditi qytetet në Lindje të SHBA-së. Vetëm në Nju Xhersi raportohen 23 viktima.
Guvernatori Phil Murphy tha se shumica e vdekjeve ishin njerëz të bllokuar në automjetet e tyre nga përmbytjet dhe u mbuluan nga uji. Zyrtarët thanë se shumë persona janë të pagjetur.
Dhjetëra persona kanë vdekur në gjashtë shtete lindore, Konektikat, Merilend, Nju Xhersi, Nju Jork, Pensilvani dhe Virxhinia, pasi stuhia solli reshje të papara në disa zona.
Në mesin e viktima është edhe një polic i cili iu përgjigj thirrjes për ndihmë të një personi të zhdukur.
Të enjten, shpërthimi i ujit vazhdoi në disa zona, dhe në New York City një grup i ri pune po shkonte për t’u siguruar që nuk kishte më shumë viktima në bodrume, ndërsa në jug të Nju Xhersit, banorët po pastronin vendin nga tornado që rrafshoi shtëpitë.
Në zonën e Filadelfias, disa rrugë u përmbytën, duke vonuar shërbimet hekurudhore dhe të autobusëve të qytetit, duke mbyllur ndërtesat, ndërsa liderët nxitën njerëzit të punojnë nga shtëpia.
Në qytetin e Nju Jorkut, mbrëmjen e së mërkurës u shpëtuan 835 njerëz nga sistemi i metrosë, ndërsa udhëtarët e tjerë u bllokuan gjatë natës në stacionet e metrosë, disa flinin në stola me shërbimin e pezulluar dhe nuk kishte asnjë mënyrë për të arritur në destinacionet e tyre./A2/