Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar politikën e jashtme të Qeverisë Kurti.
Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se pas 4 shtatorit, Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kurse sipas tij, vendi ynë ka mbetur pa ambasadorë në 20 misione diplomatike.
‘’Politika është e jashtme, por qëllimet janë gjithmonë të brendshme. Që nga 1 shtatori kanë mbetur mbi 20 misione diplomatike pa ambasadorë. Disa janë të mbyllura plotësisht. Pas 4 shtatorit, Serbia ka përgatitur një ofensivë për tërheqje të njohjeve të Kosovës, siç më treguan disa miq në botë. Po ashtu, ka përgatitur edhe goditje ndaj Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku ne tashmë jemi anëtar. Në vend që diplomacia jonë ta mbronte sovranitetin e jashtëm, ajo mjerisht po e godet veten nga brenda për të qenë e paralizuar jashtë’’, ka shkruar ish-kandidati për kryeministër.
Hoxhaj e ka vënë në pikëpyetje nëse kjo është rastësi apo mosdije.
‘’A është kjo rastësi apo ka të bëjë me mosdije e papërgjegjësi? Në vitet e fundit, Kosova kishte pezulluar tërësisht politikën e jashtme Kjo po ndodhë kur në Evropë kemi një rirreshtim të ri, ndërsa në botë lajmet ditore janë më shumë se lajme. Janë goditje tektonike, ku jo shumë larg e shohim zinxhirin e ngjarjeve dhe pasojat direkte për Kosovën. Politika është e jashtme, por qëllimet janë të brendshme! E kur nuk ka rezon shtetëror brenda, por iluzion për veten dhe botën, vizioni i jashtëm është politikë e rënies së lirë. Kosova asnjëherë në historinë e pas-pavarësisë nuk ka qenë më e rrezikuar sesa sot nga zhbërja e të arriturave kolosale në politikën e jashtme’’, shtoi tutje Hoxhaj.