Derisa vende evropian akoma janë të brengosur për shkak të COVID-19 dhe valën e katërt të infeksioneve, në Danimarkë epidemia i takon të kaluarës.
Në fakt, këtë të premte, ky vend do të shfuqizojë të gjitha masat kufizuese kundër COVID-19, kurse qeveria e atjeshme ka njoftuar se virusi më nuk paraqet “rrezik për shoqërinë”.
Ky vendim i qeverisë bazohet në faktin që 73 për qind e popullatës në Danimarkë është vaksinuar plotësisht me vaksinat kundër COVID-19, derisa 3 për qind tjerë tani kanë marrë vetëm një dozë.
“Epidemia është nën kontroll”, tha javën e kaluar ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke.
Duhet theksuar që Danimarka ka qenë ndër vendet e para që vitin e kaluar (më konkretisht më 11 mars 2020), aplikoi masën e izolimit total kur edhe shpërtheu pandemia, kurse tani është ndër vendet e para që plotësisht po hapet.
Është interesant që danezët nuk pretendojnë se kanë çrrënjosur virusin apo këtë sëmundje. Me një fjalë – kanë gjetur mënyrën të jetojnë me të. Rikthimi në normalitet nuk do të ishte i mundur pa vaksinim masiv.
Rreth 95 për qind e njerëzve më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë vaksinuar siç janë shtëpitë e pleqve dhe personat mbi moshën 60-vjeçare.