Jaroslaw Kaczynski, zëvendëskryeministri dhe udhëheqës i partisë në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), deklaroi se e sheh të ardhmen e Polonisë në BE dhe se nuk do të ketë asnjë Polexit edhe pse Polonia dëshiron të mbetet një vend sovran.
Komentet e tij vijnë pasi disa politikanë të opozitës sugjeruan që PiS dëshiron që Polonia të largohet nga BE.
Vendi është përfshirë gjithashtu në një numër mosmarrëveshjesh me bllokun që kanë prishur marrëdhëniet Varshavë-Bruksel.
Por, Kaczynski i tha PAP-it se ”Polonia nuk do të ndjekë shembullin e Britanisë së Madhe që u largua nga BE-ja”.
“Nuk do të ketë Polexit. Është një shpikje propagandistike që është përdorur shumë herë kundër nesh. Ne e shohim pa mëdyshje të ardhmen e Polonisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Ai vuri në dukje, megjithatë, se partia e tij dëshiron t’i japë fund asaj që ai e sheh si një krizë në BE, në të cilën traktatet shkelen dhe shtetet trajtohen në mënyrë të diferencuar.
“Parimi i barazisë së shteteve po prishet dhe në mënyrë drastike”, tha ai.
“Ekziston gjithashtu një tendencë e dukshme që shtetet më të forta të instrumentalizojnë BE-në, veçanërisht Gjermania. Ne duhet t’i rezistojmë kësaj. Ne jemi pro që traktatet e BE-së të sqarohen në mënyrë që llojet e ndryshme të abuzimit të bëhen rrënjësisht më të vështira”, theksoi ai.
Edhe pse theksoi angazhimin e Polonisë ndaj BE -së, Kaczynski tha gjithashtu se sovraniteti kombëtar duhej të mbrohej.
Polonia ka akuzuar BE-në për shkeljen e sovranitetit të saj duke kundërshtuar ndryshimet në sistemin gjyqësor të vendit të paraqitura nga qeveria e dominuar nga PiS.
“Ne duam të jemi në Bashkimin Evropian, por në të njëjtën kohë duam të mbetemi një shtet sovran”, tha ai.
Ai shtoi se barazia e shteteve ishte gjithashtu shumë e rëndësishme dhe se “nëse diçka lejohet në një shtet, atëherë duhet të lejohet te të gjithë”.