Londra vazhdon të jetë qyteti me fat për Oleksandr Usyk. Por kampioni i ri i botës në versionet WBA, IBF dhe WBO të kategorisë së rëndë, do të pëlqente një kthim në Ukrainë për rimeçin ndaj Anthony Joshuas.
Ndonëse ishte më i shkurtër dhe me peshë më të lehtë se Joshua, ukrainasi Usyk ka shfaqur vlera të mëdha të shtunën mbrëma në Londër për të fituar meçin me Joshuan me vendim unanim të gjyqtarëve.
34-vjeçari arriti fitoren e jashtëzakonshme në vetëm luftën e tij të tretë në kategorinë e rëndë. Meçi u zhvillua në atmosferë elektrizuese të krijuar nga më shumë se 66 mijë tifozë në stadiumin e Tottenhamit. Kështu vetëm është konfirmuar lidhja e Usykut me Londrën.
Usyk ka fituar medaljen e artë olimpike në kategorinë e rëndë në Londër, nëntë vjet më parë. Të artën olimpike e kishte fituar vetëm një ditë para se Joshua të fitonte të artën në një kategori më lartë.
“Londra është vërtet qytet me fat për mua. Por, asnjë fitore në profesionizëm nuk mund të krahasohet me të artën olimpike”, ka thënë Usyk.
Ukrainasi ka vazhduar me bilanc perfekt në profesionizëm. Ka 19 fitore nga po aq duele. Dhjetë fitoret e fundit i ka arritur jashtë Ukrainës. Shumë prej luftërave për tituj Usyk i ka zhvilluar në vendet e kundërshtarëve. Kjo zakonisht është përparësi e madhe për boksierin vendas, por nuk ishte për Joshuan dhe shumë të tjerë që kishin punë me Usykun e pandalshëm.
Usyk mund të mbajë me krenari një mbishkrim “Luftëtari rrugëtues”. Me Joshuan që pritet të kërkojë menjëherë revanshin, pasi mbeti pa tituj, Usyk është pyetur se në cilin vend do të preferonte të boksonte.
“Do të doja të kam rimeçin në Stadiumin Olimpik në Kiev”, është përgjigjur ylli i ri i boksit profesionist.
Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, është dukur se ka hedhur poshtë mundësinë për një duel në Ukrainë. Ai ka lënë të kuptohet se lufta e dytë e Joshuar me Usykun do të zhvillohet në Mbretëri të Bashkuar.
“Ne do të punojmë së bashku për të rritur të hyrat. Ukraina nuk ka shumë gjasa”, ka thënë Hearn. “Unë do të mendoj se do të mbahet në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare apo në Mbretëri të Bashkuar. Me shumë mundësi do të jetë në Mbretëri të Bashkuar”.
Usyk ka ofruar njërën prej shfaqjeve më të mira në karrierën profesionale të shtunën mbrëma në Londër. Ka dominuar plotësisht ndaj Joshuas, që dukej pa gjasa nga fillimi e deri në fund. Gjyqtarët e vlerësuan Usykun fitues me rezultatin 117:112, 116:112 dhe 115:113.
“Deri në këtë moment është fitorja më e madhe në karrierë. Por nuk ishte më e vështirë”, ka theksuar Usyk, që ka pasur karrierë impresive edhe në amatorizëm.
Joshuas i dështoi një duel me Tyson Furyn dhe kjo bëri që versioni WBO të obligojë Joshuan të përballet me sfiduesin e detyrueshëm Usyk.
“Duhet vlerësuar Joshuan, pasi ai lehtë do të mund të shmangte këtë luftë dhe ndoshta është dashur ta bëjmë këtë. Por, ai nuk bën gjëra të tilla. Ka njerëz që zgjedhin rrugë të lehta dhe të tillë që zgjedhin të luftojnë me të gjithë. Joshua është në grupin e dytë”, ka thënë Hearn.
Kjo ishte humbja e dytë e Joshuar në boksin profesionist. Por, Hearn beson se nuk është aq e rëndë sa humbja e parë në qershor të vitit 2019, që u pasua me një rime, që u pasua me një rimeç gjashtë muaj më vonë.
“Është më e lehtë ta pranoni pasi e dini sa i mirë është Usyk dhe se kishte gjasa për të pësuar disfatë. Për luftën e parë me Ruizin, ndoshta ishim pak naiv. Tani vetëm mund të themi se ky është sporti. Ai është mposhtur nga boksieri që ishte më i mirë. Tani na mbetet të provojmë të përmirësohemi dhe ta mposhtim në rimeç. Kjo është e tëra që mund të bëjmë”, ka theksuar promotori Eddie Hearn.