Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se do të punojmë së bashku me Shqipërinë për një treg unik, në mënyrë që qytetarët, shërbimet dhe kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kurti tha se “mandatet e dy qeverive tona të Kosovës dhe Shqipërisë i kemi marrë në një kohë me plot sfida, përballja me COVID-19, me variantin eksploziv “Delta” rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa prej sfidave tonë për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku”.
“Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen progresit në Shqipëri. Përtej sfidave tona dy qeveritë kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, të cilat prej një kohe të gjatë priten nga qytetarët e dy vendeve”, – tha Kurti.
Kryeministri Kurti u shpreh se “ne duhet ta rrisim bashkëpunim për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim e mirëqenie për shqiptarët në dy anët e kufirit dhe gjithë rajonin”.
“Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tona. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik, në mënyrë që qytetarët, shërbimet dhe kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm”, – theksoi Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se “nëse ka vende ku kjo mund dhe duhet të bëhet sa më shpejt është Kosova e Shqipëria, jo vetëm e njohin mire njëra-tjetrën, por kemi besimin e plotë tek njëra-tjetra”.
Më tej, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes së mirë dhe u zotuam se e shikojmë tejet të rëndësishëm sinkronizmin gjithandej.
“Në takimin e sotëm biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 e deri tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkët mes dy qeverive ku janë nënshkruar 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, për të cilën u vendos të fillojnë përgatitjet nga dy kabinetet tona me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor”, – theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti tha se “njëkohësisht u dakorduam që të kemi edhe një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale, i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala që ka dy pasaporta atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës”.