Në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare pas marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Pas takimit, Krasniqi ka deklaruar se ka shprehur vullnetin e tij dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë. Përveç tjerash, Krasniqi ka shprehur shqetësimin për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën në Veri, me ç’rast ka kërkuar që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.
Ky është postimi i plote i Memli Krasniqit:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i urova mandatin e tretë me radhë si udhëheqës i Qeverisë së Shqipërisë. Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë.PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për çfarë u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit aq të nevojshëm në mes nesh. Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët.Gjatë takimit biseduam për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.Kryeministrin Rama e falënderova për ftesën që më bëri për vizitë zyrtare në Tiranë, të cilët do ta realizoj që në momentin e parë të mundshëm.