Saimir Hoxha shpallet “Dëshmor i Atdheut”

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këshilli i Ministrave vendosi sot të shpall “Dëshmor të Atdheut”, nënkomisar Saimir Hoxhën, i cili humbi jetën dje në krye të detyrës, si dhe mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve të tij.

Lajmin e bëri sot të ditur për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Dje humbi jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës nënkomisar Saimir Hoxha. Sot ne morëm vendimin për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’ të nënkomisar Saimir Hoxhës dhe njëkohësisht qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm sqaroi se me marrjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që ne miratuam në mbledhjen e parë të qeverisë, fëmijët do të trajtohen në përkujdesje të Republikës.

“Kjo do të thotë se fëmijët e Dëshmorit të Atdheut do të marrin një trajtim financiar. Deri në 18 vjeç dhe nëse vazhdon shkollën e lartë, deri në 23 vjeç, të dy djemtë do të marrin një pagë prej 170% të pagës që ka pasur nënkomisar Saimir Hoxha. Jo vetëm kaq, do të marrin trajtim falas shëndetësor dhe gjithë benefitet që vijnë si rezultat i përfitimit të statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ të babait të tyre”, tha Çuçi.

Ministri theksoi se “sigurisht që familjarëve dhe veçanërisht dy fëmijëve do t’i mungojë babai i tyre, por në asnjë moment në jetën e tyre nuk do t’u mungojë përkujdesja e shtetit dhe shoqërisë, për të cilën Saimir Hoxha dha jetën”./ATSH/ 

Share This Article