Liverpooli dhe Manchester City kanë barazuar 2:2 në një ndeshje magjike dhe dramatike në Premierligë të dielën.
Liverpooli e kishte epërsinë e një goli dy herë, falë golave nga Sadio Mane dhe Mohamed Salah, por City u rikthye dy herë për ta barazuar rezultatin në Anfield përmes Phil Foden dhe Kevin De Bruyne.
Ky barazim i tyre iu përshtat më së miri Chelseat, i cili tani është lider i Premierligës me 16 pikë nga shtatë ndeshje.
Liverpooli bie në vendin e dytë me 15 pikë dhe City i treti me 14 pikë.Reklamë
Pas një pjese të parë me mbizotërimin e kampionit në fuqi por me mungesë golash, shfaqja e mirëfilltë u pa në 45 minutat e dytë në Anfieldin e zhurmshëm.
Mane e kaloi Liverpoolin në epërsi në minutën e 59-të, kur e mposhti Edersonin me një goditje të fortë brenda zonës, pasi u shërbye nga Salah në një aksion fantastik të skuadrës së Jurgen Kloppit.
Por mbizotërimin dhe sulmet e shpeshta të vendasve i ndali Foden kur e mposhti Alissonin nga një kënd i vështirë, pas një asisti nga Gabriel Jesus në minutën e 69-të.
Salah e rikthye epërsinë e të kuqve me një gol të mrekullueshëm individual në minutën e 76, para se De Bruyne të shënonte për rezultatin final vetëm pesë minuta më vonë.
Rodri e shpëtoi Cityn pa pësuar të tretin kur e bllokoi goditjen e Fabinhos në portën boshe. City e pati mundësinë e vet të fitores më vonë, por goditja e Jesusit u ndal nga Andy Roberston.
Ishte ashtu siç pritej nga Klopp dhe Guardiola, një ndeshje e nivelit më të lartë me intensitet të paparë dhe plot gola.