Përfaqësuesja e Spanjës është kualifikuar në finale të Ligës së Kombeve pasi në ndeshjen gjysmëfinale ka mposhtur kampionen në fuqi të Evropës, Italinë me rezultatin 2:1.
Me këtë fitore, Spanja i është hakmarrë Italisë për humbjen që ia shkaktoi në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.
Po ashtu, spanjollët i kanë dhënë fund rekordit botëror të Italisë me 37 ndeshje rresht pa humbje. Ferran Torres (17, 47’) shënoi golat për Spanjën ndërsa golin e vetëm për Italinë, e realizoi rezervisti Lorenzo Pellegrini.
Italia, gjithashtu ndeshjen e mbylli me një lojtar më pak pasi në minutën e 42-të, u përjashtua qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci pas kartonit të dytë të verdhë.
Në finalen e Ligës së Kombeve, Spanja do të takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Francës dhe Belgjikës që luhet të enjten në Torino.
Finalja e Ligës së Kombeve do të luhet të dielën mbrëma në stadiumin “San Siro”.