Gjermania ka shfaqur potencialin në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Në ndeshjen e parë, të luajtur në Gjermani, Maqedonia e Veriut kishte shënuar fitore me rezultatin 2:1.
Por befasi tjetër nuk u shkaktua. Të hënën mbrëma në Shkup, gjermanët ishin dominantë dhe fituan 4:0, në kuadër të grupit J të kualifikimeve për Botërorin e futbollit “Katari 2022”.
Sfida u vendos në pjesën e dytë. Kai Havertz realizoi për 1:0 në minutën e 50-të, pas asistimit të Thomas Muellerit. Mueller në minutën e 70-të pasoi prë Timo Werner që realizoi për 2:0. I njëjti lojtar tre minuta më vonë shënoi gol të bukur me goditje mjeshtërore për 3:0.
Goditjen përfundimtare Maqedonisë së Veriut ia dha Jamal Musiala që realizoi për 4:0 në minutën e 83-të.
Gjermania udhëheq në grupin J me 21 pikë. Me fitoren e së hënës siguroi biletën për në Katar.
Rumania është e dyta me 13 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut e treta me 12 pikë, sa i ka edhe Armenia. Gara për pozitën e dytë mbetet e hapur.
Rumania fitoi 1:0 ndaj Armenisë, ndërsa Islanda “shkeli” Lihtenshtajnin duke e mposhtur 4:0.