Legjenda e Romës, Francesco Totti, ka theksuar se gjiganti spanjoll Real Madridi është klubi i vetëm për të cilin do ta kishte lënë Romën.
Historia e Francesco Tottit në Romë veçohet në futbollin modern. Ish-ylli italian e kaloi tërë karrierën e vet në klubin e fëmijërisë.
Ai hoqi dorë nga mundësia për të fituar gjithçka në lojën e futbollit vetëm e vetëm për t’i qëndruar besnik klubit që e ka dashuruar gjithmonë.
Totti ishte padyshim njëri prej lojtarëve më të talentuar dhe më të mirë të gjeneratës së vet. Ai e fitoi një titull në Serie A me Romën dhe Kupën e Botës me Italinë, por ka mundur të fitonte shumë më shumë sikur të largohej nga kryeqyteti italian.
Megjithëse shumë klube kishin shfaqur interesim për ta blerë atë, hera e vetme kur ai e kishte menduar njëmend largimin ishte në vitin 2006, kur Real Madridi i kishte bërë ofertë.
“Natyrisht që kam menduar për të”, tha Totti i pyetur për ofertën e Real Madridit.
“Të themi që ka pasur ditë kur një këmbë e kisha brenda e një jashtë. Por e kam thënë shpesh dhe vërtet se vendimi për të qëndruar në Romë u mor me zemër”, nënvizoi ai.
Ai shtoi: “Real Madridi ishte klubi i vetëm tjetër për të cilin do të kisha luajtur. Klubi i vetëm ku do të kisha shkuar.