Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se nuk ekziston ndonjë një marrëveshje që e obligon Kosovën për të mos dërguar njësi speciale në veri të Kosovës. Këtë e ka thënë sot Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme duke u përgjigjur në pyetjen e KOHËS se a ekziston ndonjë marrëveshje e prerë e cila e parandalon Kosovën të dërgojë njësitë speciale pa konsultime në veri.
Nga Qeveria e Serbisë vazhdojnë të përsërisin se dërgimi i njësive të tilla në veri paraqet shkelje të marrëveshjes së Brukselit. Por ky zëdhënës ka thënë se ndonëse nuk ekziston ndonjë marrëveshje specifike që do të pamundësonte dërgimin e njësive policore nga jugu në veri, sipas tij, ekziston një praktikë e zakonshme për t’u koordinuar dhe për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe për të njoftuar paraprakisht palën tjetër në mënyrë që të evitohen skenat që u panë dje në veri të Mitrovicës.
Stano ka thënë se BE-ja dhe EULEX-i nuk ishin të njoftuar në mënyrë paraprake nga autoritetet e Kosovës për operacionin e djeshëm, ndonëse sipas tij, EULEX-i është përgjegjësi i dytë në aspektin e sigurisë dhe ndodhet në Kosovë për të ndihmuar autoritetet kosovare për mbrojtjen e ligjit.
Zëdhënësi i BE-së u është përgjigjur kritikave të drejtuar ndaj Borellit rreth prononcimit të këtij të fundit për ngjarjet e djeshme. Stano ka thënë se Borrelli nuk iu referua vetëm operacionit policor kundër trafikimeve dhe krimit të organizuar, por foli në përgjithësi për nevojën për të ruajtur qetësinë në veri të Kosovës pasi është fjala për një rajon specifik në Kosovë dhe rajon të ndjeshëm dhe këto duhet pasur parasysh.