Kryeministri ka siguruar publikun ditën e sotme se shumë shpejt vendi ynë do të ketë dy satelitë në hapësirë.
Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, i u tha gazetarëve se këta satelitë do të përdoren për kontrollin e territorit, qysh nga kufijtë, deri te ndërtimet pa leje.
Rama: Shqipëria do të ketë satelitë dhe do t’i ketë shpejt për të kontrolluar territorin e saj. Do të ketë satelitë dhe dronë inteligjentë që do të na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër nga aspekti i administrimit të territorit. Këto janë mjete të një teknologjie të re dhe garantojnë monitorimin për shumë gjëra, qysh nga kufijtë deri te ndërtimi pa leje.
Duke pasur në dispozicion këtë arsenal do të lehtësohen shumë shpejt marrëdhënie në territor që komprometohen nga inspektorë, punonjës policie të korruptuar. Është një gjë që e bëjnë shumë vende të tjera të zhvilluara. Nuk ka nevojë që të jesh një vend i zhvilluar që t’i vesh në dispozicion vendit mjete të tilla. Do t’i kemi shpejt këta satelitë. Do të rrisim kapacitetet e kontrollit të territorit./Ora News/