Ish-presidenti amerikan, Barak Obama i ka kërkuar amerikanëve të refuzojnë gjuhën që përdor cilido lider që ushqen urrejtjen apo normalizon racizmin.
Obama nuk tha shprehimisht asnjë emër, por komentet e tij erdhën pasi presidenti Donald Trump u përpoq të sheshonte kritikat se retorika e tij anti-emigrantë ka nxitur dhunën. Në një fjalim të hënën, Trump dënoi urrejtjen dhe supremacinë e bardhë.
Ai foli pasi 31 persona humbën jetën në dy sulme me armë zjarri në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa ishte në detyrë, Barak Obama, u përpoq pa sukses për të kufizuar pronësinë e armëve. Ai i tha BBC në 2015 se dështimi i tij për të kaluar një ligj për pronësinë e armëve ka qenë frustrimi më i madh i presidencës së tij.
Ai është përmbajtur duke mos komentuar retorikat e polemizuara të Trump ndaj emigrantëve, por të hënën, lëshoi një deklaratë. “Ne duhet të refuzojmë gjuhën që vjen nga goja e një prej liderëve tanë që ushqen një klimë frike apo urrejtje apo normalizon ndjenjat raciste; nga liderë që demonizojnë ata që nuk duken si ne apo që sugjerojnë se njerëz të tjerë, përfshirë emigrantët, kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës, apo i referohen të tjerëve si nën-qenie njerëzore, apo aludojnë se Amerika i përket vetëm një lloji njerëzish”, tha ai.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump tha se mes emigrantëve meksikanë kishte trafikantë droge, kriminelë dhe përdhunues. Kohët e fundit ai ka shkaktuar zemërim, duke sugjeruar se katër kongresmene me ngjyrë duhet të kthehen dhe të ndihmojnë në përmirësimin e vendeve të rrënuara, të infektuara nga krimi, nga ku kanë ardhur. Ai vetë, mohon që komentet e tij të jenë raciste.
Top Channel