Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell vdiq dje pas komplikimeve nga Covid-19. Familja e tij njoftoi se ai ishte plotësisht i vaksinuar. Ai ishte 84 vjeç dhe kishte mielomë të shumëfishtë, thënë ndryshe kancer gjaku, sipas CNN.
”Zyrtarët e shëndetësisë po shqetësohen pasi aktivistët kundër vaksinave do të kapen pas vdekjes së Powell për të theksuar pretendimin e tyre sipas të cilit vaksinat nuk funksionojnë. Nëse dikush mund të vdesë pasi është vaksinuar kundër Covid-19, atëherë cili është qëllimi i marrjes së vaksinës? Cila është përgjigjja për këtë pyetje?
Mjekja e njohur, Leana Wen është profesoreshë e politikave dhe menaxhimit shëndetësor në Shkollën e Shëndetit Publik të institutit “Milken” të universitetit “George Washington”. Ajo është gjithashtu autore e librit “Lifelines: A Doctor’s Journey in the Fight for Public Health”.
CNN: Kur shohim të vaksinuar që vdesin nga Covid-19, si e shpjegoni se vaksinat sërish ia vlejnë të bëhen?
Leana Wen: Ne duhet të fillojmë me shkencën dhe atë që tregon hulumtimi. Vaksinat Covid-19 janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmundjeve dhe veçanërisht sëmundjeve të rënda. Të dhënat më të fundit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se ato zvogëlojnë gjasat e testimit pozitiv për Covid-19 me gjashtë herë dhe gjasat e vdekjes me 11 herë. Kjo do të thotë se nëse jeni të vaksinuar, keni gjashtë herë më pak gjasa të merrni Covid-19 sesa dikush që nuk është i vaksinuar. Dhe ju keni 11 herë më pak të ngjarë të vdisni nga Covid-19 në krahasim me një të pavaksinuar. Kjo është vërtet e mrekullueshme. Megjithatë, vaksina Covid-19 nuk ju mbron 100%. Asnjë vaksinë nuk e bën këtë, thjesht ka të ngjarë që praktikisht asnjë trajtim mjekësor të mos jetë 100% efektiv. Kjo nuk do të thotë që vaksina nuk funksionon apo se nuk duhet ta merrni.
CNN: A ka më shumë të ngjarë që disa të kenë pasoja të rënda nga Covid-19, pavarësisht vaksinimit?
Leana Wen: Po, dhe bazuar në atë që pamë, gjenerali Powell përfundoi në atë kategori. Ne e dimë se individët që janë më të moshuar dhe kanë sëmundje shoqëruese kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të vdesin pas infeksioneve të mëdha. Më në rrezik janë ata me imunitet të dobët. Mieloma e shumëfishtë e futi gjeneralin Powell në këtë kategori dhe, përveç moshës së tij të madhe, kjo do të shtonte nivelin e rrezikut.
Kjo është një nga arsyet për të cilat rekomandohen doza përforcuese. Në gusht, zyrtarët federalë të shëndetësisë rekomanduan që njerëzit me imunitet të moderuar ose të rëndë, të cilët kishin vaksinat Pfizer ose Moderna, të merrnin një dozë të tretë të vaksinës. Ata paralajmëruan se edhe me dozën shtesë, individët me imunitet të kompromentuar duhet të marrin masa paraprake shtesë. Kjo sepse kjo është një kategori njerëzish që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj pasojave të rënda.
CNN: Ju keni thënë më parë se vaksinat funksionojnë më mirë kur të gjithë i marrin apo jo?
Wen: Pikërisht. Mendojeni vaksinën Covid-19 si një mbulesë shumë të mirë të padepërtueshme. Funksionon shumë mirë për t’ju mbrojtur në shi. Por, nëse jeni në një stuhi, dhe pastaj vjen një uragan, ka një shans shumë më të madh që të lageni. Kjo nuk do të thotë që mushama juaj është e dëmtuar. Do të thotë që jeni në mot të keq, dhe vetëm një mushama nuk mund t’ju mbrojë gjithmonë. Nëse jeni përreth shumë viruseve, kjo rrit mundësinë tuaj për t’u infektuar. Problemi nuk është vaksina – është se ka shumë viruse rreth jush. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të vaksinohen sa më shumë njerëz. Kjo zvogëlon shkallën e përgjithshme të infeksionit dhe përfundon duke na mbrojtur të gjithëve ne. Dhe, nëse jeni në një zonë me shumë viruse, mbajtja e një maskë në hapësira të mbushura me njerëz shton një nivel shtesë mbrojtjeje. Dhe të mos harrojmë se ne gjithashtu vaksinohemi për të mbrojtur më të prekurit mes nesh, të cilët janë në rrezikun më të lartë për rezultate të rënda. Një studim i 13 shteteve gjatë gjashtë muajve tregoi se individët e vaksinuar plotësisht përbënin vetëm 4% të të gjitha shtrimeve në spital nga Covid-19. Njerëzit e pavaksinuar kanë 17 herë më shumë gjasa të shtrohen në spital për koronavirus sesa të rriturit e vaksinuar plotësisht, sipas atij studimi të CDC. Ata që përfundojnë me raste të përparuara që rezultojnë në shtrim në spital kanë më shumë gjasa të jenë më të moshuar dhe të kenë sëmundje shoqëruese.
CNN: Cilat janë gjërat e tjera që do t’u thoshit atyre që nuk besojnë se vaksina është efektive?
Wen: Unë do t’u kërkoja atyre të mendojnë për aspekte të tjera të mjekësisë. Le të themi se dikush ka sëmundje zemre. Ka ilaçe për të trajtuar sëmundjet e zemrës, por ato nuk janë 100% efektive. Vetëm për shkak se dikush përfundon me një përkeqësim të sëmundjes së tij dhe në spital, nuk do të thotë se ilaçet nuk ia vlen të merren.
Ose le të përdorim një shembull parandalimi. Le të themi se dikush që ha një dietë të shëndetshme dhe merret me sport përfundon me tension të lartë të gjakut dhe diabet. Kjo nuk do të thotë që dieta dhe stërvitja nuk janë të mira për t’u bërë. Thjesht do të thotë që ju mund të ndërmerrni të gjitha hapat e duhur për të parandaluar një sëmundje, por ndonjëherë ju prapë mund ta merrni atë. Përfundimi është se vaksinat funksionojnë. Ato zvogëlojnë gjasat për t’u prekur nga sëmundjet dhe për t’u sëmurë rëndë dhe për të vdekur. Ato nuk janë 100% efektive sepse asgjë nuk është 100% efektive.
CNN: A munden vaksinat gjithashtu të parandalojnë një ringjallje të virusit këtë dimër?
Wen: Po. Është inkurajuese që numrat e infeksioneve me Covid-19 po bien nga vala e tmerrshme Delta kaloi vendin këtë verë. Sidoqoftë, një valë tjetër infeksionesh është e mundur, veçanërisht me vetëm 57% të popullsisë amerikane të vaksinuar plotësisht. Në fund të fundit, çelësi për të zvogëluar rrezikun e të gjithëve nga Covid-19-dhe për t’i dhënë fund pandemisë është që të gjithë ne të vaksinohemi. Kjo na mbron ne dhe ata rreth nesh.