Për nënkryetarin e Partisë Demokratike Enkeljd Alibeaj, është e mjaftueshme për të thënë se zgjedhjet u cënuan që në momentin kur emigrantëve u hoq e drejta për të votuar.
I ftuar në emisionin “Frontline”, Alibeaj tha se është e drejta e opozitës që të ngrejë komisionin hetimor për të hedhur dritë dhe për të bërë transparencë për aq kohë sa drejtësia nuk e bën.
I pyetur se çfarë do të bëjnë nëse kryeministri Rama i cili është i ftuar si dëshmitar në këtë komision nuk paraqitet, Alibeaj tha se do të jetë detyra e policisë ta sjellë atë aty.
“Ke hequr të drejtën e emigrantëve për të votuar. Mjafton kjo për të thënë se zgjedhjet janë cënuar. Pse i shpërndave miliona euro 2-3 muajt e fundit ndërkohë që i le 2 dimra në çadra? Në momentin që bie një fatkeqësi ndihma e qeverisë duhet të jetë e menjëhershme. Javët e fundit janë dhënë para jo vetëm pë ata që janë dëmtuar. Përse jepet vetem pak kohë para zgjedhjeve? Është mburrur për të gjitha fondet që BE-ja dha. Si ka mundësi që bën 13 mijë punësime para zgjedhjeve me kontrata të përkohshme ndërkohë që shqiptarët po ikin nga papunësia? Ne kemi filluar këtë komision për të hedhur dritë. Dhe përse të dhënat tonë duhet të jenë në dorë të PS-së para zgjedhjeve? Opozita e vjedhur, është terrorizuar dhe ka të drejtën e saj të bëjë transparencë për sa kohë që sistemi i drejtësisë nuk e bën. Unë besoj që një shtet anëtar i NATO-s një shtetar e ka për detyrim moral që nevojës së kërkesës dhe fakteve se ka shkelur ligjin të vijë të përballet. Është detyra e policisë që ta sjellë para parlamentit”, tha ai.