I sharë dhe i sulmuar nga tifozët e Tottenhamit, Nuno Espirito Santo u shkarkua të hënën pas humbjes së pestë në dhjetë ndeshjet e tij në Premier League në krye të klubit nga Londra. Tani Tottenhami është kthyer sërish në përpjekjet për të punësuar Antonio Conten, një nga trajnerët që kërkoi të rekrutonte para se ta angazhonte portugezin Santo.
Është raportuar se Conte tashmë ka arritur marrëveshje me Tottenhamin, e cila pritet të zyrtarizohet gjatë ditëve në vijim. Trajneri italian do të firmosë kontratë për një vit e gjysmë.
Shkarkimi i Nunos, pas vetëm katër muajsh në detyrë, erdhi pas humbjes 3:0 në shtëpi nga Manchester Unitedi të shtunën, kur vendimet e trajnerit portugez talleshin dhe tifozët brohoritnin “Ti nuk e di se çfarë po bën”. Në një atmosferë gjithnjë e më të paqëndrueshme, tifozët thirrën gjithashtu “Ne duam që Levy të largohet” ndaj kryetarit Daniel Levy, i cili tani ka vendosur që ndryshimi të kërkohet përsëri te trajneri.
Levy edhe në muajin prill e shkarkoi Jose Mourinhon. Klubi tha se Nuno dhe stafi i tij stërvitor ishin “liruar nga detyrat e tyre” dhe se një përditësim mbi stërvitjen “do të pasojë në kohën e duhur”, pa asnjë pasardhës të shpallur. Nëse zyrtarizohet marrëveshja me Conten, kjo do të shënonte një rikthim të italianit në Londër pasi u largua nga Chelsea në vitin 2018. Conte fitoi titullin e kampionit në Premier League dhe Kupën FA gjatë dy vjetëve në krye të klubit të Londrës perëndimore dhe ai u largua nga Interi i sfiduar financiarisht, pasi fitoi titullin e Serie A në muajin maj. Italiani ka namin e fitimit të trofeve të mëdhenj që i mungonin Nunos. Nuno largohet duke e lënë Tottenhamin në vendin e tetë në Premier League, me dhjetë pikë prapa liderit Chelseat dhe pesë pikë më pak se West Hami i vendit të katërt, që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
“Unë e di se sa shumë donin Nuno dhe stafi i tij të arrinin sukses dhe më vjen keq që na është dashur të marrim këtë vendim”, tha drejtori i përgjithshëm i Tottenhamit, Fabio Paratici. “Nuno është një zotëri i vërtetë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu. Ne duam ta falënderojmë atë dhe stafin e tij stërvitor dhe t’i urojmë suksese në të ardhmen”
Pati një kërkim të zgjatur prej 72 ditësh te Tottenami për pasardhësin e Mourinhos, pasi klubit në prill e angazhoi si trajner të përkohshëm Ryan Masonin e Akademisë. Tottenhami u përpoq të rikthente Mauricio Pochettinon dhe ndoqi Paulo Fonsecan, Gennaro Gattuson dhe Conten përpara se t’i jepte një kontratë dyvjeçare Nunos. Ish-trajneri i Wolverhamptonit, menjëherë u desh të përballej me pasigurinë për të ardhmen e sulmuesit Harry Kane, të cilit iu mohua një lëvizje te Manchester City dhe dukej si hije e sulmuesit që ishte golashënuesi më i mirë në Premier League sezonin e kaluar. Një gol i Kane në nëntë ndeshje në Premier League dhe dështimi për të regjistruar një goditje në portë kundër Unitedit është reflektim i gjendjes së keqe të Tottenhamit.
Dështimi i sulmit nuk ka qenë e kufizuar në Kanen, me Tottenhamin që ka shënuar vetëm nëntë gola në dhjetë ndeshjet kampionale. Vetëm Norwichi që është ende pa fitore në Premier League, ka shënuar më pak gola se Tottenhami. Ndërsa Son Heung-min ka katër gola, ka vetëm një gol në ligë dhe një asistim nga sulmuesit Lucas Moura, Steven Bergwijn, Dele Alli dhe Bryan Gil. Nuno e drejtoi klubin vetëm për 17 ndeshje në të gjitha garat. Ndërsa ai u votua trajneri i muajit në Premier League pasi fitoi tri ndeshjet e para të sezonit në gusht – duke filluar kundër kampionit Manchester City – Tottenhami ka fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet që atëherë.
Ka pasur përparim në Kupën e Ligës ku ka arritur deri në çerekfinale, por në Ligën e Konferencës së Evropës, Tottenhami ka fituar vetëm një nga tri ndeshjet e luajtura. Klubi i Londrës veriore u kualifikua në garën e nivelit të tretë të Evropës, pasi përfundoi i shtati në Premier League, shumë larg nga pozita e katërt, të cilën e siguroi prej vitit 2016 deri në vitin 2019 nën drejtimin e Pochettinos. Argjentinasi, madje arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 duke pësuar nga Liverpooli. Një fillim i dobët i sezonit vijues bëri që ai të shkarkohej në nëntor të vitit 2019 dhe Pochettino tani është në krye të ligës franceze me Paris Saint-Germainin.
Tottenhami është ende duke luftuar për të arritur standardet e vendosura nga Pochettino dhe për të riprodhuar futbollin sulmues me ritëm të lartë, për të tërhequr tifozët në stadiumin e tij të ndërtuar para dy vjetësh, i cili e rriti borxhin e klubit në gati 700 milionë euro. Tottenhami nuk ka fituar asnjë trofe që nga Kupa e Ligës në vitin 2008 dhe për herë të fundit e fitoi titullin e kampionit të Anglisë në vitin 1961.