Amerikani Errol Spence Jr. është kampion i botës në kategorinë velter në versionin e madh të boksit, International Boxing Federation (IBF). Boksieri shqiptar, Florian Marku, bokson në këtë kategori.
Spence mban titullin edhe në versionin WBC, Yordenis Ugas në WBA dhe ylli Terence Crawford në WBO. Janë këto versionet e mëdha të boksit profesionist. Janë këta kampionët e botës në kategorinë velter.
Marku mban një titull në versionin IBF. Por jo titull të botës. E mban titullin “International Boxing Federation International Welter Title”. Dhe kjo shpesh, ndonjëherë edhe qëllimshëm, ngatërrohet me titull të botës. Sipas të dhënave të “boxrec.com”, sajtit të specializuar për boksin profesionist, titulli që aktualisht e mban Marku, ekziston prej vitit 2004. Sajti zyrtar i IBF-së nuk ka thuajse fare të dhëna për titullin e Markut.
Boksieri 29-vjeçar nga Lushnja, që jeton në Angli, Florian Marku, të shtunën mbrëma e zhvilloi meçin e fundit. E mposhti me pikë francezin Jorick Luisetto. Lufta në Londër nuk ishte për titullin që e mban Marku. Pra, ai nuk e mbrojti titullin. E shënoi një fitore të radhës.
Ish-luftëtari i Arteve Marciale të Përziera (MMA), Marku, karrierën në boksin profesionist e ka nisur në dhjetor të vitit 2018. Meçin e parë e ka zhvilluar në Gjermani e më pas ka garuar në Angli. Ka dhjetë fitore e një barazim. Gjashtë prej fitoreve i ka arritur me ndërprerje. Ka boksuar në disa mbrëmje vërtet të rëndësishme të boksit.
Dhjetë fitore nuk është shifër e lartë në boksin profesionist. Rrallë mjafton për të arritur te ndonjë titull i madh kampioni. Kundërshtarët e deritashëm të Markut po ashtu nuk ishin të nivelit më të lartë të boksit profesionist.
Por, të gjitha këto të dhëna kanë pak rëndësi kur bëhet fjalë për famën që ka arritur ai, sidomos në mesin e shqiptarëve. Aktualisht Marku është boksieri më i popullarizuar shqiptar. Rrjetet sociale mbushen me fotografi dhe video të tij, sa herë që Marku del në ring. Karriera e tij përcillet gjerësisht, ndonëse ka boksierë të tjerë shqiptarë që kanë më shumë suksese se ai. Janë pesë që kanë luftuar për titull të botës.
Videot nga dhoma ku Marku bëhet gati për të dalë në ring, janë mjaft të popullarizuara. Këngët patriotike që dëgjohen aty e bëjnë të veten. Në Londër, Marku gëzon përkrahje të madhe po ashtu, kryesisht nga komuniteti shqiptar. Arenat mbushen për ta parë atë nga afër. Dhe ky fakt e ka ndikimin e tij.
Mediumi i fuqishëm britanik, “Sky Sports”, shkruan thuajse rregullisht për Markun.
“’Mbreti shqiptar’ solli një mori tifozësh të cilët brohoritën para dhe pasi ai fitoi me pikë në një luftë me tetë raunde”, ka shkruar “Sky Sports” pas meçit të fundit të Markut.
Ai tashmë llogaritet pjesë e skenës së kategorisë velter në Britani, ku përfshihen boksierë, si Conor Benn, David Avanesyan, Josh Kelly, Chris Kongo dhe Chris Jenkins.
Marku në duel me francezin nuk ishte asnjëherë i rrezikuar. Pra, ishte bindës. Dhe është kujdesur për t’i argëtuar tifozët që e përkrahnin zhurmshëm. Pas fitores, vendosi flamurin shqiptar në krah, për ta rritur edhe më tej bazën e tifozëve, që tashmë është masive.
“Jam i lumtur për fitoren. Falënderoj tifozët e shumtë që ishin sonte këtu në Londër. Ju dua të gjithëve dhe e përsëris që ky është vetëm fillimi për mua. Falënderoj edhe tifozët britanikë që më mbështetën. Boksi është jeta ime. Kjo fitore u takon tifozëve”, ka thënë Marku për “Sky Sports”.
”Meçi ishte i fortë, uroj që tifozët ta kenë shijuar. Luftën e kisha përgatitur kështu. Tentova nokautin, por rivali u mbrojt mirë. Tani jam gati të përballem me të gjithë në këtë kategori. Cilindo që ma vendosin përballë, unë jam i gatshëm”, ka shtuar boksieri shqiptar. Ai ka përsëritur dëshirën për një meç në Tiranë. Por drejtuesit e boksit profesionist në Britani vështirë se do të heqin dorë nga tifozët e shumtë që Marku ka kryesisht në Londër. Një meç më i fortë pritet në të ardhmen. Ai synon përballje me britanikun Conor Benn.
I duhen edhe disa fitore, me top-boksierë, që suksesi në ring t’i afrohet famës që tashmë ka krijuar. Dhe për t’iu afruar boksierëve më të suksesshëm shqiptarë. Ende është larg tyre.