Për shkak të rritjes së rasteve të reja me COVID-19, shumë shtete të Evropës kanë rikthyer masat e ashpra Anti-COVID.
Austria sot është futur në bllokim të plotë për shkak të rasteve me COVID.
Kjo është hera e 4 që shteti austriak futet në bllokim total që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Masat janë ashpërsuar edhe në shtete tjera. Andaj qytetarë të shumtë protestuan dje për t’i kundërshtuar këto masa.
Dhjetëra mijëra vetë, shumë prej tyre mbështetës të së djathtës ekstreme, kanë protestuar në të gjithë Evropën kundër kufizimeve të koronavirusit. Nga Vjena në Holandë, protestat u nxitën nga detyrimet ndaj të pavaksinuarve.
Protesta kundër kufizimeve, të cilat synojnë frenimin e përhapjes së Covid-19, u zhvilluan të shtunën edhe në Zvicër, Kroaci, Itali, Irlandën Veriore.
Në Itali qytetarëve po u kërkohen certifikata të gjelbra në vendet e punës, restorante, kinema, teatro, ambiente sportive dhe palestra, si edhe në udhëtimet me tren, autobus ose traget në distanca të gjata.
Ndërsa, Holanda ka hyrë në një bllokim të pjesshëm, pasi qeveria urdhëroi restorantet dhe dyqanet të mbyllen më herët dhe ndaloi spektatorët nga ngjarjet kryesore sportive, në një përpjekje për të frenuar rritjen rekord të rasteve me Covid-19.