Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Zoran Zaev uruan bashkësinë etnike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e Ditës së Alfabetit.
”Bashkëqytetarë të dashur të kombit shqiptar, urime për 22 Nëntorin. Unifikimi i alfabetit shqip që ndodhi para 113 viteve në Manastir nuk ishte vetëm moment kthese në kodifikimin e gjuhës shqipe, por edhe një ndërhyrje kulturore, shpirtërore dhe nacionale e popullit shqiptar”, tha Pendarovski.
”22 nëntori ka rëndësi thelbësore për shqiptarët dhe nuk është vetëm festë e tyre kombëtare, por edhe datë të cilën e festojnë të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi presidenti.
”Të mos humbim vullnetin dhe shpresën dhe të punojmë për prosperitetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë”, porositi Pendarovski.
”Ju uroj Ditën e Alfabetit Shqip të gjithë pjesëtarëve të bashkësisë shqiptare dhe të gjithë qytetarëve. Ta festojmë bashkarisht ekzistencën dhe afrimin e traditave kulturore, të cilat në këto hapësira ekzistojnë së bashku me shekuj”, thekson kryeministri Zoran Zaev.
”T’i festojmë dallueshmëritë etnike dhe gjuhësore të shoqërisë sonë si përparësitë tona”, shtoi Zaev.