Në një dalje për mediat, presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh se para protestës së opozitës në 8 qershor 2019, ai kishte informacione sekrete do të sulmoheshin institucionet e vendit.
Sipas tij, në këto data ai ka qenë në Gjermani dhe Lulzim Basha i është përgjëruar atij që të anulonte këtë protestë pasi nuk kontrollonte dot dhunën dhe të shtynte zgjedhjet lokale.
“Më 2 qershor 2019 opozita mbajti protestën e 7-të të saj ku në përfundim paralajmëroi një protestë finale në Tiranë. Gjuha e urrejtjes që përdoronin palët politike dhe sidomos Basha, ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një destabilizimi social dhe demokratik, duke cenua paqen në vend. Në ditët që i para prinë kësaj proteste, presidenti ka administruar edhe informacione sekret që në këtë protestë do të përdorej edhe dhunë e pakontrolluar ndaj institucioneve kryesore të vendit.
Presidenti në 6-8 qershor 2019 ndodhej në Gjermani. Në këtë periudhë erdhi edhe Basha në Gjermani, para mitingut final të opozitës më 8 qershor dhe i është lutur presidentit, edhe në prezencë të personave të tjerë, duke iu përgjëruar me lot në sy, që presidenti të anulonte protestën e opozitës më 8 qershor dhe të shtynte zgjedhjet. Kjo sepse sipas Bashës se protesta që vetë kishte organizuar, do të degradonte në dhunë, sepse nuk e kontrollonte më popullin opozitar, duke e ditur se ai do të ishte përgjegjësi për këtë gjë. I trembur përballë popullit opozitar që e gënjente duke u thënë se do të rrëzohej qeveri dhe i frikësuar nga përgjegjësitë ligjore të dhunës, Basha iu ul në gjunjë presidentit dhe iu lut që të shtynte zgjedhjet e 30 qershorit. Këtë sipas tij duhet ta bënte direkt nga Gjermania”, tha Meta.

