Mesfushori Granit Xhaka e ka lënë të hapur mundësinë që të kthehet te skuadra e Borussia Moenchengladbachut.
Xhaka, aktualisht është pjesë e Arsenalit dhe ka kontratë me ekipin londinez deri në vitin 2024. Megjithatë, ai ka pranuar se pasi t’i skadojë kontrata me Arsenalin mund t’i bashkohet Gladbachut, ekip prej të cilit u largua në vitin 2016 për t’u transferuar te “Topçinjtë”.
“Unë sapo e kam vazhduar kontratën time, që i ka edhe dy vjet e gjysmë. Pastaj do të jem 32-vjeçar dhe nëse Max Eberl dëshiron të më kthejë te Gladbachu, atëherë dera ime do të jetë e hapur”, ka thënë Xhaka 29-vjeçar.
Kapiteni i Zvicrës ka luajtur katër sezone për Gladbachun (2012-2016), ndërsa këtë edicion ka pesë paraqitje për Arsenalin.
Aktualisht, Xhaka po rikuperohet nga lëndimi që e mori muajin e shkuar.