Policia e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me atë serbe, para disa ditësh kanë zbuluar një kamp të improvizuar në kufirin mes këtyre dy shteteve.
Siç raporton Telma, televizion maqedonas, disa migrantë nga Pakistani dhe Afganistani kanë maltretuar fizikisht e psiqikisht si dhe kanë dhunuar e kërcënuar bashkatdhetarët e tyre.
Sipas raportit, bëhet fjalë për një terren jo lehtë të arritshëm aty ku është ngritur kampi dhe rajoni njihet me emrin Toptel, territor i Maqedonisë së Veriut.
Për zbulimin e kampit mes fshatrave Lojan dhe Vaksinc janë përdorur edhe helikopterët e policisë.
TV Telma bën të ditur se Policia ka shpëtuar 35 migrantë, mes të cilëve ishin edhe 9 fëmijë të moshës 14 e 15 vjeç.
“Viktima janë burrat, gratë dhe fëmijët nga Pakistani e Afganistani. Katër monstrumë janë arrestuar dhe i pret dënimi me burgim prej minimumi tetë vjetësh, ndërkohë që organizatorët e kampit janë në arrati. Dy të arrestuar janë 15-vjeçarë”, ka raportuar TV Telma.
Besohet se në këtë kamp kanë kaluar me qindra migrantë nga gushti e deri në nëntor të këtij viti, ku me dhunë u janë marrë pasaportat, telefonat e më pas u nisnin foto familjeve të tyre për t’iu kërkuar para në shkëmbim të lirimit të tyre
Sipas TV Telmas, të burgosurit janë keqtrajtuar fizikisht dhe janë dhunuar.