Para se të nisej në SHBA për një vizitë 7 ditore, kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur edhe një herë Ballkanin e Hapur. Gjatë interpelancës në Parlament, demokrati Tritan Shehu i kërkoi Ramës të tërhiqet nga kjo nismë, e cila sipas tij mund të sjellë destabilitet në rajon.
Deputeti demokrat Tritan Shehu, në një intervistë në Ora News me gazetaren Siklajda Shorja u shpreh se në rajon ka mbetur vetëm Rama dhe Vuçiç pasi Zaev dha dorëheqjen.
“Unë nuk e di se çfarë ndodh në Hënë dhe në Mars, por di që në Shqipëri pjesa më e madhe është kundër. Kosova po kundërshton me gjithë forcën e saj drejtësisht këtë nismë, këtë projekt i cili e ka zanafillën në zyrat e Vuçiç. Bosnjë Hercegovina është kundërshtare e plotë, di që asnjë nga vendet e BE-së në mënyrë kategorike nuk e ka përkrahur. Kur kryeministri ynë e hap këtë diskutim me ta, ata ose nuk e përkrahin, ose i përmendin Procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit është një nisëm e drejtuar dhe financuar nga BE-ja dhe nuk ka asgjë të përbashkët me këtë minishengen i cili nuk dihet se ku fillon dhe çfarë është. Nuk ka një platformë të paraqitur realisht dhe ekonomikisht dëmton Shqipërinë. Di gjithashtu që SHBA janë shprehur qartësisht që një nismë e cila nuk ka përkrahje dhe nuk bëjnë pjesë të gjashta vendet e rajonit është e dështuar”, tha Shehu.
Zoti Sehu u shpreh se këtu kemi një ndjekje hap pas hapi të politikës vuçiçiane dhe kjo është tragjike për Shqipërinë. Për Shehun, këtu ka një tendencë për t’ia lënë Vuçiç rolin lider në Ballkan dhe një zbehje të pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër ka një tendencë të kryeministrit Rama i cili tenton të fshehë dështimin e plotë të procesit të integrimit pas të tjerëve.
Shehu: U përpoq të fshihet pas problemeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë sa u detyrua qeveria Bullgare të thotë ne nuk kemi gjë me Shqipërinë. ne duhet që duke realizuar kushtet tona, duke realizuar standardet që ka BE të integrohemi sepse nuk ka të ardhme tjetër me ne, pa lidhur fatin tonë me të tjerët, aq më shumë me të tjerët.
Sipas zotit Shehu, kjo nismë, pra Ballkani i Hapur është e papajtueshme me interesat e Shqipërisë e sidomos të Kosovës. Kosova, sipas tij, nuk mundet të jetë në një tavolinë që komandohet nga Vuçiç, garantohet nga Vuçiç i cili nuk njeh Kosovën si shtet i pavarur. Deputeti tha se kjo nismë është krijuar nga Vuçiç për hegjemonizëm politik dhe padyshim pas hegjemonizmit politik, fshihet dhe hegjemonizmi ekonomik dhe është një nismë që kërkon të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor me Unionin Euroasian të Rusisë. Kjo nismë, sipas tij tenton të mbajë sa më larg BE-së Ballkanin Perëndimor.